Sovraniteti ndërmjet mitit dhe realitetit: fuqia, rendi ndërkombëtar dhe fati i kombeve të vogla

Debati mbi vlefshmërinë e normave të së drejtës ndërkombëtare dhe mbi ekzistencën reale të sovranitetit të shteteve u rindez fuqishëm pas ambicieve të SHBA-së për aneksimin e Grenlandës dhe ndërhyrjes amerikane në Venezuelë, ku presidenti i atij vendi u arrestua dhe u ekstradua në SHBA, në mënyrë që duket se ishte jashtë çdo norme ndërkombëtare dhe në kundërshtim me parimin e sovranitetit.

Shkruan: Murat ALIU, Prilep

Ç’është sovranitetit?

Sovraniteti është një nga nocionet më të përfolur në literaturën e shkencave juridike, politike dhe në filozofi, së paku këto pesë shekujt e fundit, atëherë kur filozofi francez, Jean Bodin, për herë të parë e artikuloi një kornizë teorike se çfarë në fakt nënkupton sovraniteti. Sipas tij, pushteti sovran ose sovraniteti i përket bashkësisë politike; ai është elementi kryesor që e dallon shtetin nga entitetet e tjera. Për këtë arsye, sovraniteti është thelbi i shtetit, parimi themelor që mundëson ekzistencën e tij; madje ai është si forma (eidos) në filozofinë e Aristotelit, e cila i jep materies (hyle) formë dhe lëvizje. Prandaj, aty ku nuk ka sovranitet, është e qartë se nuk mund të flitet për shtet. Bodin-i, duke u mbështetur në të drejtën romake, ku sovraniteti përmendet si majestatem apo summum imperium, e përkufizon atë si “pushtetin më të lartë, më absolut dhe më të përhershëm mbi qytetarët (Ağaoğulları, 2011).

Origjina e nocionit sovranitet gjendjet në fjalën frënge souveraineté. Në anglisht përdoret termi sovereignty, i cili rrjedh nga fjala latine superanus, që do të thotë “më i larti”. Kështu sipas  Merriam-Webster Law Dictionary, sovraniteti nënkupton ushtrimin e fuqisë ose pushtetit suprem mbi një strukturë politike dhe pavarësi absolute nga çdo lloj të ndikimit të jashtëm”. Cambridge Dictionary, nga ana tjetër, e përkufizon sovranitetin në mënyrë njëdimensionale si “fuqia e një shteti për ta kontrolluar qeverinë e vet”. Sipas kësaj qasjeje, sovraniteti përkufizohet si: “vullneti suprem që i jep karakter politik bashkësisë njerëzore që jeton në një territor të caktuar; që krijon shtetin dhe të gjitha institucionet brenda tij dhe u jep atyre legjitimitet; si dhe që përbën burimin e së drejtës pozitive të asaj shoqërie në nivel kushtetues dhe ligjor, si edhe të zbatimit të kësaj të drejte” (Kaya, 2022) .

Duke mos hyrë në interpretime teorike, sovraniteti, sipas Jellinek-ut, nuk është një koncept i “shpikur” nga një mendimtar ulur pas tavolinës së punës. Burimin e sovranitetit duhet kërkuar në ngjarjet historike që kanë ndodhur përgjatë një periudhe të gjatë kohore, e cila përfshin fundin e Mesjetës dhe fillimin e Epokës së Re. Këto ngjarje, që zgjatën me shekuj, u shfaqën në Europë si një luftë e ashpër për epërsi midis fuqive të mëdha. Në këtë përballje, në njërën anë qëndronin monarkitë, në krye me mbretërinë franceze, ndërsa në anën tjetër feudalizmi, papati dhe Perandoria Romano-Gjermane. Mbretërit e Francës, për një kohë të gjatë, u detyruan të luftonin, nga njëra anë brenda vendit kundër senjorëve feudalë, ndërsa nga ana tjetër jashtë vendit kundër papatit dhe Perandorisë Romano-Gjermane, të cilat pretendonin epërsi mbi mbretërinë (madje mbi të gjitha monarkitë europiane). Në fund të kësaj lufte të madhe shohim se mbretërit francezë dolën fitimtarë: ata jo vetëm që imponuan epërsinë e tyre përfundimtare ndaj forcave feudale brenda vendit, por siguruan edhe pavarësinë e tyre ndaj papatit dhe perandorisë në planin e jashtëm. Pikërisht gjatë kësaj lufte të gjatë dhe të vështirë historike, koncepti i sovranitetit u përdor nga mbretërit francezë si një formulë juridike për të shprehur se ata nuk njihnin, as brenda vendit ndonjë pushtet që mund të konkurronte autoritetin e tyre, e as jashtë vendit ndonjë fuqi më të lartë se ata vetë (Kapani, 2018).

Megjithatë, duhet thënë se ky nocion në vetvete nënkupton jo vetëm sovranitetin, pra pavarësinë e brendshme, por me krijimin e shteteve-komb ose shteteve moderne, mbi të gjitha nënkupton edhe pavarësinë, përkatësisht të drejtën e vetëvendosjes kundrejt shteteve të tjera, kjo sepse sovraniteti, para së gjithash, ndahet në sovranitet të jashtëm dhe sovranitet të brendshëm. Me sovranitetin e jashtëm, shkurtimisht, kuptohet që shteti të mos jetë i varur nga asnjë shtet tjetër në marrëdhëniet e jashtme dhe të mos i nënshtrohet në asnjë mënyrë një shteti tjetër. Ky koncept, sot (siç theksohet edhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara), nënkupton që marrëdhëniet ndërmjet shteteve të bazohen në statusin e barazisë juridike. Përtej kësaj, është e diskutueshme nëse një shtet që konsiderohet sovran zotëron vërtet një vullnet plotësisht të lirë dhe të pavarur, si dhe një liri reale veprimi në marrëdhëniet e tij me shtetet e tjera (Kapani, 2018).

Iluzioni i sovranitetit absolut në marrëdhëniet ndërkombëtare

Gjithashtu, një nga debatet më të nxehta në të kaluarën, por edhe sot, lidhet me pyetjen nëse shtetet mund të jenë vërtet sovrane në kuptimin absolut të fjalës. Pra, a janë shtetet realisht të pavarura, jo vetëm në politikat e tyre të brendshme, por veçanërisht në marrëdhëniet ndërkombëtare? Apo, thënë ndryshe, a e lejon sistemi ndërkombëtar sovranitetin absolut të shteteve? Duket se nuk ka një përgjigje të vetme dhe përfundimtare për këto pyetje. Megjithatë, për t’i analizuar nëse shtetet janë vërtet sovrane në kuptimin absolut, mund të shqyrtohen dy teori kryesore të marrëdhënieve ndërkombëtare: realizmi dhe neorealizmi.

Hans Morgenthau, përfaqësuesi kryesor i shkollës realiste, argumenton se ekziston një marrëdhënie simetrike midis natyrës së shtetit dhe natyrës njerëzore. Themelet filozofike të realizmit politik bazohen në mendimet e Makiavelit, Hobbesi-t dhe të tjerëve, sipas të cilëve njeriu është egoist, i ligë dhe, në thelb, i orientuar drejt pushtetit. Ashtu si individët që synojnë të ushtrojnë kontroll mbi të tjerët, edhe shtetet janë të prira për të njëjtën gjë. Morgenthau argumenton se politika ndërkombëtare përcaktohet nga interesat kombëtare të shteteve, ndërsa sistemi ndërkombëtar është në thelb një anarki ku mbijetesa varet nga fuqia. Sipas tij, njerëzit veprojnë sipas interesave të tyre; rrjedhimisht, edhe shtetet veprojnë në përputhje me interesin dhe fuqinë e tyre. Dëshira për ta ndjekur fuqinë buron nga natyra njerëzore. Për shembull, përfaqësimi i Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së tregon fuqinë e tyre për t’i mbrojtur interesat në vendimet ndërkombëtare. Realistët përqendrohen jo te vlerat morale, por tek lufta për fuqi, interesi kombëtar dhe struktura e sistemit ndërkombëtar, ku shqetësimi kryesor i shteteve sovrane është mbijetesa. Politika ndërkombëtare rrotullohet rreth fuqisë dhe fuqia është ndikimi që një aktor mund ta ushtrojë mbi një tjetër, qoftë me dhunë fizike, qoftë me metoda psikologjike. Morgenthau thekson se realizmi duhet të jetë realist dhe teorik, jo normativ ose historik. Për ta ruajtur pavarësinë kombëtare, shteti duhet të veprojë si gjuetar, andaj çdo mjet i përdorur për këtë qëllim është legjitim dhe moral (Morgenthau, 1993).

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, interesi kombëtar i përkufizuar në terma të fuqisë përbën prioritetin kryesor. Shtetet dhe udhëheqësit e tyre janë të detyruar të veprojnë racionalisht për ta mbrojtur interesin kombëtar, edhe kur kjo bie ndesh me interesat personale. Realizmi i shpërfill qëllimet ideologjike dhe morale të aktorëve politikë. Politika ndërkombëtare shihet si një fushë përplasjeje interesash midis shteteve. Veprimet e shteteve nuk vlerësohen mbi baza morale universale, por mbi efikasitetin e tyre në shërbim të interesit kombëtar. Morali individual nuk mund të zbatohet në politikën e jashtme. Çdo shtet ndjek interesin e vet pa u nënshtruar ndaj një autoriteti më të lartë. Marrëdhëniet ndërkombëtare kanë rregullat dhe logjikën e tyre të veçantë. Në fund, shteti-komb mbetet aktori kryesor i sistemit ndërkombëtar, ndërsa organizatat ndërkombëtare luajnë rol dytësor.

Neorealizmi i artikuluar nga Kenneth Waltz-i, i njohur edhe si realizëm strukturor, përfaqëson një kthesë teorike në studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke e zhvendosur analizën nga niveli i individit dhe i shtetit drejt strukturës së sistemit ndërkombëtar. Në kundërshtim me realizmin klasik, i cili e shpjegon konfliktin përmes natyrës njerëzore dhe ambicieve të aktorëve politikë, Waltz-i argumenton se sjellja e shteteve kushtëzohet kryesisht nga karakteri anarkik i sistemit ndërkombëtar. Në këtë sistem nuk ekziston një autoritet qendror mbi shtetet, gjë që i detyron ato të mbështeten në vetë-ndihmë, për të garantuar mbijetesën dhe sigurinë e tyre. Shtetet konsiderohen njësi funksionalisht të ngjashme, por të diferencuara sipas fuqisë materiale dhe burimeve që zotërojnë. Struktura e sistemit ndërkombëtar përcaktohet nga shpërndarja e fuqisë ndërmjet shteteve, veçanërisht fuqive të mëdha dhe kjo strukturë i kufizon, orienton dhe formëson veprimet e të gjitha njësive. Përballë anarkisë, shtetet veprojnë racionalisht, duke synuar ruajtjen e ekuilibrit të fuqisë dhe rritjen e sigurisë, gjë që shpesh prodhon konkurrencë dhe konflikt. Sipas Waltz-it, lufta nuk është pasojë e natyrës njerëzore, por një rezultat strukturor i sistemit ndërkombëtar anarkik. Në këtë kuptim, neorealizmi paraqitet si një teori sistemike që e analizon politikën ndërkombëtare si një tërësi strukturore, duke e vendosur strukturën dhe shpërndarjen e fuqisë në qendër të shpjegimit teorik (Waltz, 2021).

Pra, siç mund të vërehet, dy qasjet kryesore, përmes të cilave shpjegohet sistemi ndërkombëtar, përkatësisht marrëdhëniet ndërmjet shteteve, pavarësisht dallimeve të tyre teorike, e vendosin theksin kryesisht te fuqia e shteteve si faktor përcaktues i rendit ndërkombëtar. Në këtë kuptim, fuqia shfaqet jo vetëm si instrument i veprimit shtetëror, por edhe si kriter themelor për definimin e asaj që konsiderohet e drejtë ose e padrejtë në politikën ndërkombëtare. Rrjedhimisht, rendi ndërkombëtar nuk ndërtohet mbi parime universale morale ose juridike, por mbi raportet reale të fuqisë ndërmjet aktorëve kryesorë të sistemit. Duke qenë kështu, diskursi politik dhe shkencor që pretendon se sistemi ndërkombëtar mund të formësohet dhe funksionojë kryesisht mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve morale, përfaqëson një qasje normative, e cila, megjithëse teorikisht koherente, në praktikë shpeshherë rezulton utopike, kjo jo për shkak se këto parime janë të pavlefshme në vetvete, por sepse zbatimi i tyre mbetet i kushtëzuar nga vullneti dhe interesat e shteteve më të fuqishme, të cilat e kanë kapacitetin real për t’i përcaktuar rregullat e lojës në sistemin ndërkombëtar. Duke qenë kështu, ideali i Kantit, por jo vetëm, për një paqe të përhershme në botë ose ndërmjet shteteve, për një kohë të gjatë mbetet një dëshirë utopike dhe e parealizueshme. Historia dëshmon se dëshira dhe instinkti për pushtet, dominim dhe kontroll kanë paraprirë gjithmonë teoritizimet mbi drejtësinë, parimet morale dhe idealet politike e shoqërore. Pra, edhe sot, në shekullin njëzet e një, kur shumëkush shpërndan iluzionin se qytetërimi njerëzor, veçanërisht ai perëndimor, ka arritur kulmin e tij në kuptimin e përsosmërisë, diktaturat, gjenocidet, fashizmat dhe racizmi janë ende të pranishme. Ndërkaq, luftës, siç argumenton Arendt-i, ende nuk i është gjetur ilaçi.

Sovraniteti ndërmjet mitit dhe realitetit 

Duke u nisur nga ato që u thanë më lart, veçanërisht kur biem dakord se sistemi ndërkombëtar përcaktohet nga fuqia, duket e vështirë të flasim për parimin e sovranitetit, veçanërisht për sovranitetin e shteteve ose kombeve të vogla në botë. Një nga pyetjet që u parashtrua menjëherë pas lindjes së nacionalizmit, ishte nëse shtetet dhe kombet e vogla dhe më pak të fuqishme mund të vendosin vetë për fatin e tyre. Sigurisht, përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve duket e komplikuar, pasi historia dëshmon se, shpeshherë, ose në shumicën e rasteve, popujt e fuqishëm e kanë shpërfillur vullnetin dhe të drejtën e popujve të vegjël. Nga ana tjetër, historia po ashtu, ndonëse më rrallë, dëshmon edhe të kundërtën: se edhe popujt e vegjël kanë pasur momente kur kanë vendosur për fatin e tyre.

Por, parë nga një këndvështrim tjetër, më esencialist, duhet theksuar se sovraniteti, në shumicën e rasteve, nuk duhet idealizuar. Sovraniteti në kuptimin absolut të fjalës – si një aksiomë që supozon se popujt ose shtetet kanë të drejtën të (vetë)vendosin fatin e tyre në mënyrë plotësisht të pavarur – duket i pamundur. Kjo është e vërtetë për të paktën tre arsye. Së pari, gjatë gjithë historisë, fuqitë e mëdha kanë përcaktuar çfarë konsiderohej e drejtë dhe etike; fituesit e konflikteve shpesh kanë vendosur për fatin e popujve më të dobët, duke përcaktuar jo vetëm rendin politik, por edhe normat morale dhe etnike. Një pasqyrë historike e botës tregon se të fuqishmit kanë marrë vendime në emër të popujve më pak të fuqishëm, duke kufizuar praktikisht sovranitetin e tyre. Së dyti, pas Luftës së Dytë Botërore u krijuan shumë organizata ndërkombëtare dhe anëtarësimi në to në mënyrë të domosdoshme e kufizon sovranitetin. Këto organizata shpesh shërbejnë si instrumente ideologjike, politike dhe ekonomike të fuqive hegjemonike, duke orientuar, kontrolluar dhe dominuar shtetet dhe popujt. Së treti, globalizimi, i shfaqur pas Luftës së Dytë Botërore, krijoi një botë ku shtetet janë të ndërlidhura dhe të varura nga marrëdhënie të dendura, sidomos ekonomike, që e kufizojnë sovranitetin praktik. Në këtë kontekst, të flasësh për sovranitet të plotë duket jo vetëm naive, por edhe utopike, pasi fuqia dhe interesi i aktorëve kryesorë i përcakton kufijtë realë të pavarësisë së shteteve.

Debati mbi vlefshmërinë e normave të së drejtës ndërkombëtare dhe mbi ekzistencën reale të sovranitetit të shteteve u rindez fuqishëm pas ambicieve të SHBA-së për aneksimin e Grenlandës dhe ndërhyrjes amerikane në Venezuelë, ku presidenti i atij vendi u arrestua dhe u ekstradua në SHBA në mënyrë që të duket se ishte jashtë çdo norme ndërkombëtare dhe në kundërshtim me parimin e sovranitetit. Kjo ngjarje, së bashku me pushtimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, ndërhyrjen ushtarake të saj në Ukrainë në vitin 2022 dhe qasjen e presidentit Trump ndaj rendit ndërkombëtar, tregon një fenomen të qartë: rendi ndërkombëtar duket se përcaktohet nga fuqia e aktorëve kryesorë, ndërsa shtetet më të vogla dhe popujt më të dobët shpesh vendosin nën kufizime të jashtëzakonshme. Këto zhvillime kanë shkaktuar shqetësim dhe kokëdhimbje tek popujt më pak të fuqishëm, të cilët përballen me një realitet ku parimet dhe normat ndërkombëtare shpesh humbasin përpara interesave dhe fuqisë së të fortëve. Këtë logjikë të re në marrëdhëniet ndërkombëtare e shpreh më së miri kryeministri kanadez, Mark Carney, në fjalimin e tij historik në Forumit në Davos javën e këtij viti, kur shprehet: “Duket se çdo ditë na kujtohet se jetojmë në një epokë rivaliteti mes fuqive të mëdha – se rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla po zbehet, se të fortët mund të bëjnë çfarë munden, ndërsa të dobëtit duhet të durojnë atë që u bie për pjesë.”

Të gjitha këto dëshmojnë se e drejta ndërkombëtare, së bashku me parimet dhe nocionet si sovraniteti shtetëror dhe e drejta e vetëvendosjes, është tejet relative dhe se, në fund të fundit, është fuqia e shteteve të mëdha ajo që e përcakton rendin ndërkombëtar dhe, bashkë me të, edhe fatin e popujve. Për më tepër, kjo situatë hap një dilemë tjetër thelbësore: mos vallë e drejta ndërkombëtare ka qenë gjithmonë një mistifikim, pra një maskë pas së cilës është fshehur e njëjta logjikë e të fuqishmëve? Thënë ndryshe, mos vallë Trump-i nuk bën gjë tjetër, veçse e përfaqëson, siç shprehet Fatos Lubonja, “Amerikën pa maskë”? Se ideja e ekzistencës së një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla ka qenë pjesërisht një iluzion ose një gënjeshtër, e argumenton edhe kryeministri kanadez në fjalimin e tij të lartpërmendur, kur shprehet se: “Ne e dinim se historia e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla ishte pjesërisht e rreme: se më të fortët nuk i nënshtroheshin atij kur nuk u leverdiste, se rregullat e tregtisë zbatoheshin në mënyrë asimetrike dhe se e drejta ndërkombëtare zbatohej me nivele të ndryshme rigoroziteti, në varësi të identitetit të të akuzuarit apo të viktimës.”

Çka duhet të mësojnë shqiptarët? 

Ajo që shtetet shqiptare ose shqiptarët në përgjithësi duhet të mësojnë nga zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare është një mësim i thjeshtë: sovraniteti shtetëror ose vetë shteti, nuk është një dhuratë natyrore dhe e përjetshme. Kjo nënkupton se shteti nuk është një entitet që fitohet njëherë dhe do ta ruajë vazhdimësinë deri në pafundësi. Përkundrazi, shtetet, ashtu si krijohen në rrethana dhe kushte të caktuara historike dhe politike, edhe mund të zhduken. Mjafton t’i hedhim një sy historisë së botës për të kuptuar se gjatë saj qindra e mijëra shtete, perandori ose formacione të tjera politike janë krijuar dhe më pas janë zhdukur. Shumica e këtyre shteteve janë zhdukur pikërisht nga “pamëshira” e të fuqishmëve, si rezultat i dhunës ose luftërave.

Shqiptarët janë një ndër popujt e Europës që më së shumti e kanë përjetuar mbi kurriz logjikën e të fortit dhe një rend ndërkombëtar të ndërtuar mbi interesat e fuqive të mëdha. Pikërisht për shkak të këtij fakti historik dhe objektiv, shqiptarëve, që nga fillesat e tyre historike, u është mohuar vetëqeverisja, vetëvendosja dhe, rrjedhimisht, sovraniteti në kuptimin e autonomisë së gjithanshme. Fatet e shqiptarëve, si në periudhat e hershme historike. ashtu edhe në epokën bashkëkohore, janë përcaktuar kryesisht nga interesat e të fortëve, duke anashkaluar sistematikisht vullnetin e një populli të tërë. Rasti më dramatik, dhe njëkohësisht tragjedia kombëtare e shqiptarëve, shfaqet në fillim të shekullit XX, kur territoret e tyre u pushtuan nga fuqitë më të mëdha dhe kjo gjendje faktike, megjithëse e padrejtë, u legjitimua dhe u përforcua përmes vendimeve të Fuqive të Mëdha, duke copëtuar kombin shqiptar dhe duke e lënë atë të ndarë në disa shtete të ndryshme. Të njëjtin fat shqiptarët e përjetuan edhe gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur u pushtuan dhe më pas u lanë sërish të ndarë; edhe kësaj here, ishin pikërisht interesat e fuqive të mëdha ato që penguan bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm. E njëjta padrejtësi u përsërit edhe më vonë, kur Kosovës, sërish në emër të interesave të të tjerëve, iu mohua e drejta për t’iu bashkuar shtetit amë, Shqipërisë.

Kur flasim për shtetet shqiptare, duhet ta kemi parasysh një fakt themelor që, siç argumenton Ernest Gellner-i, në botë ekzistojnë një numër jashtëzakonisht i madh grupesh etnike (me mijëra) që synojnë krijimin e një shteti (kombëtar), por vetëm një numër shumë i vogël prej tyre kanë arritur ta realizojnë këtë synim. Duke u nisur nga kjo, parë nga një këndvështrim tjetër, shqiptarët megjithatë mund të konsiderohen një komb me fat, pasi bëjnë pjesë në mesin e kombeve që kanë arritur të krijojnë shtetet e tyre; pra, thënë në terma hegelianë, kanë arritur të bëhen pjesë e historisë ose subjekt i saj. Sigurisht, ajo që mbetet detyrë parësore është ruajtja e vazhdimësisë së shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe konsolidimi i tyre, jo vetëm ekonomikisht, por edhe në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes. Një gjë e tillë, në një rend ndërkombëtar gjithnjë e më të trazuar, siç edhe paralajmërohet sot, mund të arrihet vetëm përmes një (vetë)qeverisjeje racionale dhe përmes aleancave strategjike me shtete të fuqishme, të cilat mund të garantojnë ekzistencën dhe stabilitetin e tyre. Kosova, pa dyshim, përbën pikën më të ndjeshme të çështjes shqiptare dhe, për këtë arsye, aleanca me shtetet e fuqishme – në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Bashkimin Europian dhe Turqinë – shfaqet si jetike për mbijetesën e saj në këto rrethana të thella trazimi ndërkombëtar.

Shtetet dhe popujt e vegjël, duam apo nuk duam ta pranojmë, historikisht e kanë pasur fatin e tyre të lidhur ngushtë me interesat dhe fatet e shteteve të fuqishme. Kjo ka qenë gjithmonë kështu dhe vazhdon të mbetet një konstante e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në këto rrethana, për shtetet tona, aleanca me fuqitë e mëdha shfaqet jo vetëm si një domosdoshmëri strategjike për mbijetesë, por edhe si një kusht i pazëvendësueshëm për stabilitetin dhe mirëqenien e përgjithshme.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button