Zv/kryeministri i parë Bekim Sali: UNOPS partner kyç për zbatimin e reformave dhe integrimin evropian

Zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel ka zhvilluar një takim me Drejtoreshën e Zyrës së UNOPS-it, znj. Maricarmen Colitti, ku u riafirmua partneriteti i fortë dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm në mbështetje të reformave dhe procesit të integrimit evropian të vendit.
“Në Bruksel pata kënaqësinë të takoj Drejtoreshën e Zyrës së UNOPS, znj. Maricarmen Colitti. Takimi konfirmoi partneritetin e fortë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në mbështetje të reformave dhe procesit të integrimit evropian”, ka deklaruar Sali.
Ai theksoi se faza e ardhshme kërkon kalimin nga vlerësimi në zbatimin konkret të reformave, duke nënvizuar nevojën për forcimin e kapaciteteve ekzekutive dhe koordinimin efektiv ndërinstitucional.
“U theksua rëndësia e kalimit nga faza e vlerësimit në zbatimin konkret të reformave, forcimi i kapaciteteve për ekzekutim, koordinimi efektiv ndërinstitucional dhe roli i partnerëve implementues në përshpejtimin e rezultateve konkrete”, u shpreh zv/kryeministri i parë.
Sipas tij, mbështetja teknike dhe transparenca mbeten elementë kyç për ruajtjen e besimit të qytetarëve dhe për përparimin e qëndrueshëm drejt Bashkimit Evropian.
“Mbështetja teknike, transparenca dhe komunikimi i qartë me publikun mbeten thelbësore për ruajtjen e besimit dhe për avancimin e qëndrueshëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, përfundoi Sali.



