Irani i përgjigjet BE-së, shpall grupe terroriste ushtritë e vendeve të bllokut

Kryetari i Kuvendit të Iranit deklaroi të dielën se Republika Islamike tashmë i konsideron të gjitha ushtritë e vendeve të Bashkimit Evropian si organizata terroriste. Deklarata erdhi si reagim pasi BE-ja e shpalli Gardën Revolucionare të Iranit organizatë terroriste, në një përgjigje për shtypjen e përgjakshme të protestave mbarëkombëtare kundër regjimit iranian.
Njoftimi u bë nga Mohammad Bagher Qalibaf, ish-komandant i Gardës Revolucionare, ndërsa vlerësohet se do të ketë kryesisht karakter simbolik. Irani ka përdorur edhe më herët një ligj të miratuar më 2019 për të shpallur në mënyrë reciproke ushtritë e vendeve të tjera si terroriste, pasi Shtetet e Bashkuara e shpallën Gardën Revolucionare organizatë terroriste po atë vit.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë të larta, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e një sulmi ushtarak ndaj Iranit. Po ashtu, Republika Islamike do të mbaj një stërvitje dy-ditore me armë të vërtetë në Ngushticën strategjike të Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës.
Qalibaf e bëri deklaratën në Kuvend, ku ai dhe deputetë të tjerë ishin veshur me uniforma të Gardës Revolucionare, në shenjë mbështetjeje për këtë forcë.
Garda Revolucionare, e cila kontrollon edhe arsenalin balistik të Iranit dhe ka interesa të gjera ekonomike në vend, i raporton drejtpërdrejt vetëm Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khameneit.
/rtsh.al/



