Kuvendi nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me Brainster Next për transformim digjital dhe e-qeverisje

Kryeparlamentari Afrim Gashi, ka njoftuar se sot në Kuvend është nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Brainster Next, me qëllim krijimin e mundësive konkrete për të rinjtë në fushën e inovacionit dhe transformimit digjital.
“Sot, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, së bashku me drejtorin e Brainster Next, Petar Ninoski, nënshkruam një Memorandum Bashkëpunimi”, shkroi Gashi në Facebook.
Sipas tij, ky partneritet synon të afrojë të rinjtë me institucionet dhe t’u mundësojë atyre përfshirje praktike në procese reale institucionale.
“Me këtë partneritet hapim mundësi konkrete për të rinjtë, siç janë praktikat në shërbimin e Kuvendit, pjesëmarrja në projekte reale, shkëmbimi i njohurive përmes sesioneve dhe ligjëratave që lidhen me transformimin digjital dhe e-qeverisjen, si dhe përfshirja në hakatone dhe gara”, theksoi kryeparlamentari.
Gashi vlerësoi se bashkëpunime të tilla janë të domosdoshme për përgatitjen e të rinjve për tregun modern të punës dhe për forcimin e kapaciteteve institucionale.
“Besoj se bashkëpunime të tilla e forcojnë lidhjen ndërmjet institucioneve dhe sektorit arsimor, si dhe kontribuojnë në zhvillimin e shkathësive që janë të domosdoshme për tregun bashkëkohor të punës”, përfundoi ai.



