Sali: Maqedonia e Veriut dhe Spanja drejt thellimit të bashkëpunimit strategjik

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Maqedoninë e Veriut, Rafael Soriano Ortiz, ku në fokus ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe procesi i integrimit evropian.
“Sot pata nderin të takohem me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Rafael Soriano Ortiz”, shkroi Sali, duke theksuar se gjatë takimit u diskutua për “marrëdhëniet e ngushta mes Maqedonisë së Veriut dhe Spanjës, si dhe mundësitë për bashkëpunime të reja në fusha të ndryshme”.
Sipas Salit, bashkëpunimi mes dy vendeve ka potencial të zgjerohet veçanërisht në sektorët e ekonomisë, arsimit dhe kulturës, ndërsa një pjesë e rëndësishme e bisedimeve iu kushtua edhe përparimit të procesit eurointegrues të vendit.
“Diskutuam gjithashtu për agjendën reformuese që po zhvillohet në vendin tonë, me qëllim përforcimin e institucioneve, transparencën dhe përmirësimin e klimës investuese”, theksoi zëvendëskryeministri.
Ai shprehu kënaqësinë për shkëmbimin e vizioneve mes dy palëve dhe vlerësoi mbështetjen e Spanjës për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Jam i kënaqur që mundëm të ndajmë vizionin tonë për një bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe marrëdhënie strategjike mes dy vendeve”, përfundoi Sali.



