Përvjetori i 27-të i Masakrës së Rakovinës, Kurti: Kujtesa jonë kolektive është zotim për drejtësi

Republika e Kosovës ka shënuar sot 27-vjetorin e Masakrës së Rakovinës, një nga krimet më të rënda të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar viktimat përmes një mesazhi, duke theksuar se dhimbja e asaj ngjarjeje mbetet plagë e hapur për shoqërinë kosovare.

“Në Rakovinë të Gjakovës, më 24 janar 1999, policia e Serbisë vrau pesë civilë të paarmatosur, vetëm pse ishin shqiptarë”, ka kujtuar Kurti, duke përmendur dy fëmijët, Besimin 12-vjeçar dhe Haxhiun 11-vjeçar, të cilët u vranë bashkë me babanë e tyre, Shaban Kelmendin.

Ai ka rikujtuar gjithashtu ekzekutimin e çiftit Hysen dhe Sanije Kurti nga fshati Cërmjan, të cilët u qëlluan për vdekje derisa po lëviznin me traktor dhe rimorkio. “Forcat e armatosura serbe shtinë me rafale automatike mbi ta”, ka theksuar Kurti.

Sipas kryeministrit, kujtimi i fëmijëve të vrarë është dëshmi e dhunës së ushtruar mbi më të pambrojturit. “Kujtimi i Besimit dhe Haxhiut na rikujton dhunën serbe në Kosovë mbi trupat e fëmijëve, mbi familje të tëra, mbi jetë që nuk patën mundësi të mbroheshin”, ka shkruar ai.

Kurti ka theksuar se përkujtimi i viktimave është një detyrim moral dhe historik, në mënyrë që krimet të mos harrohen dhe të mos mbesin pa përgjegjësi. “Kujtojmë për të mos lejuar që e vërteta të zbehet dhe që krimet të mbesin pa emër e pa përgjegjësi”, ka deklaruar kryeministri.

Në përmbyllje, ai ka nënvizuar se dhimbja e familjeve të viktimave është dhimbje e gjithë shoqërisë, ndërsa kujtesa kolektive është garanci për kërkimin e drejtësisë. “Republika e Kosovës i kujton sot viktimat e Masakrës së Rakovinës dhe nuk i harron kurrë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë”, ka përfunduar Kurti.

“Lavdi të rënëve për liri!”, ka qenë mesazhi përmbyllës i kryeministrit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button