Trump kërcënon me tarifë 100% ndaj Kanadasë nëse Otava bën marrëveshje me Kinën

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, kërcënoi të shtunën se do të vendosë tarifa 100 për qind për të gjitha mallrat kanadeze që hyjnë në Amerikë, nëse Otava arrin një marrëveshje tregtare me Pekinin.
“Nëse Kanadaja bën një marrëveshje me Kinën, ajo do të goditet menjëherë me një tarifë 100 për qind për të gjitha mallrat dhe produktet kanadeze që hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” shkroi Trump në platformën e tij të rrjeteve sociale, Truth Social.
Presidenti amerikan e quajti kryeministrin Mark Carney “guvernator” dhe tha se ai do të ishte “thellësisht i gabuar” nëse lejonte që Kanadaja të bëhej një “port shkarkimi” për produktet kineze të destinuara për tregun amerikan.
Ai parashikoi pasoja të rënda për Kanadanë nga afrimi i lidhjeve ekonomike me Pekinin dhe tha: “Kina do ta hajë Kanadanë për së gjalli, do ta gëlltisë plotësisht, përfshirë shkatërrimin e bizneseve të saj, strukturës shoqërore dhe mënyrës së përgjithshme të jetesës”.



