Moska kërkon tërheqjen e trupave ukrainase nga Donbasi, para takimit në Abu Dabi

Rusia njoftoi sot se ende kërkon nga Kievi që të tërheqë trupat e tij nga lindja e Ukrainës për të zgjidhur konfliktin, përpara bisedimeve në Abu Dabi mes përfaqësuesve rusë, ukrainas dhe amerikanë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nga ana e tij tha se çështja territoriale mbetet pika kryesore e pazgjidhur dhe do të jetë në fokus të bisedimeve, të cilat pritet të zgjasin sot dhe nesër.
Këto diskutime do të jenë bisedimet e para direkte mes Moskës dhe Kievit mbi një plan amerikan për zgjidhjen e konfliktit.
“Forcat e armatosura ukrainase duhet të largohen nga Donbasi, duhet të tërhiqen. Ky është një kusht shumë i rëndësishëm”, deklaroi zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitri Peskov.
“Pa zgjidhjen e çështjes territoriale (…) është e kotë të shpresohet për arritjen e një marrëveshjeje afatgjate”, shtoi ai.
Rusia kërkon tërheqjen e forcave ukrainase nga Donbasi, një territor industrial dhe minierash në lindje të Ukrainës që përfshin rajonet e Donetskut dhe Luhanskut. Kërkesat e saj synojnë veçanërisht rajonin e Donetskut, të cilin ajo e kontrollon pjesërisht dhe që mbetet epiqendra e luftimeve që kanë shkaktuar të paktën dhjetëra mijëra viktima që nga viti 2022.
Ky takim në Abu Dabi do të mbahet një ditë pas dy takimeve në nivel të lartë: njëri në Davos mes Volodymyr Zelensky dhe presidentit amerikan Donald Trump dhe tjetri në Moskë mes presidentit Vladimir Putin dhe emisarëve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.



