Tragjedi pranë Makedonski Brodit: Humb jetën një grua 41-vjeçare në aksident trafiku

Një aksident tragjik trafiku dje pasdite i mori jetën një 41-vjeçareje, banore e Kërçovës. Sipas raportit të policisë, aksidenti është raportuar në ora 14:41 në rrugën lokale drejt fshatit Rusjaci, në komunën e Makedonski Brodit.
Një automjet pasagjerësh “Citroën” me targa të Kërçovës, i drejtuar nga K.S.S. (41) nga Kërçova, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur. Si pasojë e plagëve të rënda të marra nga përplasja, 41-vjeçarja nga Kërçova ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Mjeku i ndihmës mjekësore ka konstatuar vdekjen. Me urdhër të prokurorit publik, trupi i të ndjerës është dërguar për autopsi.
Në aksident janë lënduar edhe tre pasagjerë në automjet: S.S. (69), M.S. (62) dhe një fëmijë gjashtëvjeçar, të gjithë banorë të Kërçovës. Të lënduarit janë dërguar në Spitalin e Përgjithshëm në Prilep. Gjendja e tyre shëndetësore për momentin nuk dihet.
Në vendin e ngjarjes ka dalë një ekip hetimor nga SPB Manastir (Sektori për Punë të Brendshme Manastir).



