VLEN: BDI luan ping-pong me jetët e qytetarëve!

Sistemi “Safe City” është çështje e sigurisë publike, e mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe e vendosjes së rendit në rrugë. Kur flasim për “Safe City”, flasim për jetë njerëzish. Flasim për rrugë ku sot humb dikush babanë, djalin, motrën sepse dikush tjetër ka menduar se rregullat vlejnë vetëm për të tjerët.
E pikërisht në një temë kaq serioze, BDI-ja e vetëshpallur “e reformuar”, ose si kanë qejf ta quajnë veten në Kuvend “Fronti Evropian”, dëshmoi se nuk është e aftë të prodhojë as një qëndrim të vetëm, e lëre më politikë të përgjegjshme. Pra, as mish as peshk!
Në një konferencë të vetme, qytetarët dëgjuan dy versione nga e njëjta parti. Në parim ishte “po”, pastaj del Sadulla Duraku dhe e pranon vetë se “gjërat u janë pështjell”. Pra për çfarë janë, pro apo kundër. E votojnë ligjin apo e bllokojnë.
Kjo është pikërisht mënyra si BDI ka funksionuar gjithmonë, plot 20 vite me stërkembëza, gjysmë-zgjidhje dhe mjegull, shumë propagandë, shumë alibi dhe pak zgjidhje.
Qytetarët kanë nevojë për institucione që punojnë, jo për parti që luajnë ping-pong me interesin publik. Safe City s’është temë për politikë ditore, është temë për rend dhe për shpëtim jetësh.



