(FOTO) Kujdes, mos i hapni mesazhet e rreme që vijnë në emër të ‘Qytetit të Sigurt’, kështu duken!

Qytetarët në Maqedoninë e Veriut ditëve të fundit janë duke pranuar mesazhe të rreme, kinse të dërguara nga sistemi ‘Qyteti i Sigurt’, MPB-ja apelon mos të hapen dhe mos të ndahen të dhënat personale, raporton Portalb.mk.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi opinionin se në periudhën e kaluar është vërejtur dukuria e sulmeve të fishingut të cilat realizohen përmes porosive të rreme SMS, porosive elektronike, ueb-faqeve dhe porosive në rrjetet sociale.
Lidhur me këtë problem ka pasur ankesa edhe nga qytetarët në redaksinë e Portalb.mk.
Mesazhet e rreme supozohet se vijnë nga Departamenti i Automjeteve Motorike si njoftim nga sistemi “Safe City” dhe në to është shënuar një link i rremë përmes të cilit qytetarët ridrejtohen që të bëjnë pagesën për shkeljen e supozuar rrugore.
Kështu duket një mesazh i rremë.

“U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të internetit, të mos hapen linket dhe porositë e dyshimta, të mos ndahen asnjëherë të dhënat personale, siç janë numrat e kartave bankare, fjalëkalimet ose identifikuesit personalë përmes kanaleve të paautorizuara, të verifikojnë adresën e dërguesit – institucionet dhe kompanitë zyrtare përdorin domene zyrtare, të përdorin autentifikimin dy faktorësh (2FA) për mbrojtje shtesë të llogarive të tyre dhe të denoncojnë porosi të dyshimta tek institucionet kompetente ose në bankën kompetente”, thonë nga MPB-ja.
Njoftimet SMS për kundërvajtjen e kryer duhet të jenë nga dërguesi “MVR-SC”. Teksti duhet të përmbajë domosdoshmërisht targën e automjetit që ka kryer kundërvajtjen, dhe linkun në formatin si në vijim “https://safecountry.mvr.gov.mk...”.
Sektori i Krimit Kompjuterik në Ministrinë e Punëve të Brendshme vazhdon të hetojë dhe të marrë masa për zbulimin dhe sanksionimin e kryerësve të këtij lloji mashtrimi.
Ndryshe, në RMV qytetarët vazhdimisht pranojnë mesazhe të rreme me mashtrime për vjedhjen e të dhënave personale.


