Dogana e RMV-së sekuestroi deviza, ar, cigare, bizhuteri dhe shumë sende tjera

Zyrtarët doganorë dhe ekipet mobile doganore zbuluan disa tentativa për kontrabandë me mallra të ndryshme, si dhe disa tentativa për kontrabandë të shumave të mëdha të devizave të padeklaruara.
Dogana raportoi se 13.900 euro, 3 monedha ari dhe 1 pllakë ari me peshë rreth 90 gramë u zbuluan nga një ekip mobil doganor te dy pasagjerë që ishin paraqitur për dalje nga shteti në pikën kufitare Tabanoc – autostradë.

“Gjatë kontrollit personal, në xhepin e xhaketës së shoferit u gjetën 23.900 euro, ndërsa në portofolin e tij dhe në xhepin e përparmë të pantallonave u gjetën 3 monedha ari, secila me peshë rreth 8 gramë, si dhe një pllakë ari me peshë rreth 90 gramë. Sipas dispozitave ligjore, udhëtarit iu kthyen 10.000 euro, ndërsa 13.900 euro, monedhat e arit dhe pllaka e arit u mbajtën përkohësisht”, informoi Drejtoria Doganore.

Gjatë kontrollit të një automjeti që ishte paraqitur për hyrje në shtet në pikën kufitare Qafthanë, te njëri nga udhëtarët u gjetën 20.000 euro të padeklaruara.

“Sipas Ligjit për veprimtarinë valutore, palës iu kthyen 10.000 euro, ndërsa pjesa tjetër prej 10.000 eurosh u mbajt përkohësisht”, thanë nga atje.

Në dalje nga shteti në pikën kufitare Bogorodicë, te katër udhëtarë u gjetën gjithsej 20.000 euro. Secili prej tyre mbante nga 5.000 euro, shumë që duhet të deklarohet dhe për të cilën kërkohet vërtetim nga banka ose këmbimorja e autorizuar gjatë nxjerrjes nga shteti.

“Sipas Ligjit për veprimtarinë valutore, secilit udhëtar iu kthyen nga 2.000 euro, ndërsa pjesa e mbetur prej 3.000 eurosh për secilin, ose gjithsej 12.000 euro, u mbajt përkohësisht”, thonë nga Drejtoria e Doganave.

30 steka cigare me pulla akcize turke, 279 copë bizhuteri dhe 30 kilogramë rruaza u zbuluan nga zyrtarët doganorë gjatë kontrollit të një autobusi me targa turke, të paraqitur për hyrje në shtet në pikën kufitare Deve Bair.

“Cigaret u gjetën në një hapësirë të fshehtë të fabrikuar në zonën e pushimit të shoferëve, ndërsa bizhuteritë u gjetën në një qese të vendosur në bagazhin e autobusit. Vlera e produkteve të padeklaruara është 73.780 denarë, ndërsa detyrimet e shmangura doganore arrijnë në 75.038 denarë”, informuan nga atje.

17 shishe me lëng për injeksione për kafshë prej 100 ml dhe 250 ml u gjetën në çantën e një udhëtari – shtetas i huaj me vendbanim të deklaruar në Prilep, i cili ishte paraqitur për hyrje në shtet në pikën kufitare Stenje. Malli u sekuestrua përkohësisht.

Në hyrje në pikën kufitare Tabanoc u paraqit një udhëtar me karnet ATA, por gjatë kontrollit nga zyrtarët doganorë, në hapësirën e bagazhit, mes instrumenteve muzikore të deklaruara, u gjetën edhe 4 kuti të reja për zërim, një kitarë elektrike e përdorur dhe një modul i përdorur për bateri elektrike, të cilat nuk ishin të përfshira në karnetin ATA dhe nuk ishin deklaruar nga udhëtari.

Në pikën kufitare Tabanoc, sipas udhëzimeve nga Departamenti i Qendrës Doganore të Kujdestarisë, u krye kontroll i detajuar i një automjeti, ku u zbuluan 60 litra raki shtëpie.

Shoferi kishte deklaruar vetëm disa bidonë të vegjël me djathë dhe çanta udhëtimi, ndërsa rakia, e vendosur në shishe plastike dhe bidonë, ishte fshehur në dyert e pasme nën tapiceri, në tavan, nën kapakun e veturës dhe në çantat e udhëtimit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button