Takim diplomatik në Shkup: Ministri Sali diskuton me ambasadorin e Suedisë për perspektivën evropiane të vendit

Zv/kryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka zhvilluar sot një takim zyrtar me Ambasadorin e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Ola Sohlström, ku në fokus ishte procesi i integrimit evropian të vendit dhe mbështetja e vazhdueshme suedeze për reformat kyçe.
“Sot pata kënaqësinë të zhvilloj një takim me Ambasadorin e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, z. Ola Sohlström”, ka deklaruar Sali përmes një statusi publik, duke theksuar rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë me partnerët evropianë.
Gjatë takimit, palët kanë diskutuar për rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut, prioritetet reformuese dhe sfidat aktuale në procesin e përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian. Sali ka vënë në dukje se mbështetja e Suedisë mbetet thelbësore për avancimin e agjendës evropiane të vendit.
“Diskutuam për rrugëtimin evropian të vendit, reformat kryesore dhe rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Suedisë në procesin e integrimit”, ka theksuar ai.
Në përfundim, zv/kryeministri i parë ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin dypalësh dhe përkrahjen politike të Suedisë ndaj aspiratave evropiane të Maqedonisë së Veriut.



