Kurtishi pret ambasadoren e Japonisë, diskutohet bashkëpunimi për modernizimin e shërbimeve postare

Drejtori gjeneral i Postës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Kurtishi, ka zhvilluar sot një takim zyrtar me ambasadoren e Japonisë, znj. Kavahara Secuko, në hapësirat e institucionit që ai drejton.

“Sot, në hapësirat e Postës së Maqedonisë së Veriut, pata kënaqësinë ta mirëpres Shkëlqesinë e Saj, ambasadoren e Japonisë, znj. Kavahara Secuko,” ka deklaruar Kurtishi, duke vlerësuar lart rolin dhe përvojën e Japonisë në fushën e shërbimeve postare.

Ai theksoi se Japonia përfaqëson një model të avancuar dhe shembullor në këtë sektor. “Japonia, si një shtet me përvojë të jashtëzakonshme dhe zhvillim të avancuar në shërbimet postare, përfaqëson një model të shkëlqyer për t’u ndjekur,” u shpreh Kurtishi.

Gjatë takimit, palët kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve të mundshme, me synim rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të shërbimeve postare në Maqedoninë e Veriut. Sipas Kurtishit, fokus i veçantë i bisedimeve ishte edhe digjitalizimi i shërbimeve postare.

“U theksua rëndësia e partneritetit në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës dhe veçanërisht në digjitalizimin e shërbimeve postare, si një hap i domosdoshëm drejt modernizimit dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore për qytetarët,” theksoi ai.

Në përfundim, drejtori gjeneral e vlerësoi takimin si një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional. “Një takim konstruktiv që hap perspektiva të reja bashkëpunimi dhe zhvillimi për Postën e Maqedonisë së Veriut,” përfundoi Kurtishi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button