Vazhdojnë protestat në Mineapolis pas vrasjes së 37-vjeçares Renee Nicole Good

Disa mijëra persona u bashkuan të shtunën për një tjetër natë protestash në Mineapolis, pas vrasjes së një gruaje nga një oficer i anti-emigracionit që po vepronte në qytet.
Njerëzit u mblodhën pavarësisht të ftohtit të acartë, ndërkohë që manifestime të ngjashme u mbajtën edhe në qytete të tjera amerikane si Ostin, Siatëll, Nju Jork dhe Los Anxheles.
Autoritetet lokale në Mineapolis deklaruan se ditën e shtunë, shumica e anëtarëve të komunitetit kishin demonstruar në mënyrë paqësore.
Mbrëmjen e së premtes, departamenti i policisë së qytetit shpalli të paligjshëm çdo formë grumbullimi jashtë një hoteli ku po qëndronin oficerët e Agjencisë së Emigracionit dhe Doganave.
Por i njëjti institucion njoftoi gjithashtu se disa qindra persona ishin mbledhur në protestë dhe se disa individë kishin hyrë me forcë në hotel përmes një hyrjeje dytësore.
Ndërkohë, të shtunën në manifestime ishin të pranishëm disa mijëra njerëz, rreth 30 prej të cilëve u arrestuan, ndërsa një polic u plagos.
Protestat kundër agjentëve të anti-emigracionit janë shtrirë kudo në Shtetet e Bashkuara pas vrasjes së 37-vjeçares Renee Nicole Good, e cila u qëllua me armë zjarri teksa ndodhej në makinën e saj.
Administrata Trump i doli në mbrojtje oficerit që hapi zjarr, duke thënë se kishte vepruar për vetëmbrojtje. Ndërsa autoritetet lokale insistuan se gruaja nuk përbënte asnjë rrezik.



