Nën kërcënimin e snajperëve, fëmijët e Gazës ndjekin mësimin në tenda

Në një tendë të vogël, të mbuluar nga zhurma e të shtënave aty pranë, shtatëvjeçarja Tulin përgatitet për ditën e saj të parë të shkollës pas dy vitesh.

Për shumicën e fëmijëve, kjo do të ishte një moment gëzimi. Për Tulinin dhe nënën e saj, është një kapitull terrori.

Lufta e pamëshirshme izraelite ka shkatërruar pjesën dërrmuese të infrastrukturës arsimore të Gazës, duke i detyruar familjet të krijojnë “shkolla në tenda” të improvizuara, në një afërsi të rrezikshme me forcat izraelite – në një zonë të përcaktuar nga Izraeli si “zona e verdhë”, në perëndim të vijës ndarëse, shpesh vetëm disa metra larg rrezikut.

“Deri sa vajza ime të arrijë në shkollë, sinqerisht ec me zemrën në dorë,” i tha nëna e Tulinit korrespondentit të Al Jazeera-s, Shady Shamieh.

“Shumë herë e gjej veten duke e ndjekur pa dashje derisa të mbërrijë në shkollë. E ndiej se ka diçka të rrezikshme, por dua që ajo të mësojë,” shtoi ajo. “Po të mos ishte kjo situatë, tani do të ishte në klasën e dytë. Por ne jemi të vendosur.”

“Merrni pozicionin e shtrirjes”

Rruga drejt klasës është e rrezikshme. Duke ecur mes rrënojave të Beit Lahijas, Tulini pranon se ka frikë nga hapësirat e hapura.

“Kur shkoj në shkollë, kam frikë nga të shtënat,” tha Tulini. “Nuk gjej një mur pas të cilit të fshihem që predhat apo plumbat e humbur të mos na godasin.”

Brenda tendave, mbrojtja nuk ekziston. Muret prej pëlhure nuk i ndalin plumbat, megjithatë nxënësit ulen në tokë, të vendosur për të mësuar.

Mësuesja e tyre përshkruan një rutinë të përditshme rrëqethëse, ku mësimi ndërpritet shpesh nga krismat e snajperëve.

“Vendndodhja është e vështirë, afër [forcave] pushtuese,” shpjegoi ajo. “Kur fillojnë të shtënat, u themi fëmijëve: ‘Merrni pozicionin e shtrirjes’. Më rrëqethet trupi, duke iu lutur Zotit që të mos ketë të lënduar. I bëjmë të shtrihen në tokë derisa të ndalojnë të shtënat.”

“Kemi qenë të ekspozuar ndaj zjarrit me armë më shumë se një herë,” shtoi ajo. “Pavarësisht kësaj, ne qëndrojmë. Politika e pushtimit është injoranca, ndërsa politika jonë është dija.”

Mes nxënësve është edhe Ahmedi, i cili humbi babanë e tij në luftë. “Vijmë me vështirësi dhe largohemi me vështirësi për shkak të të shtënave,” i tha ai Al Jazeera-s. “Por dua ta përmbush ëndrrën e babait tim dëshmor, i cili donte të më shihte të bëhesha mjek.”

“Një nga katastrofat më të mëdha”

Skenat dëshpëruese në Beit Lahija pasqyrojnë një kolaps më të gjerë të sistemit arsimor në enklavë.

Duke folur për Al Jazeera Arabic të hënën, Kazem Abu Khalaf, zëdhënës i UNICEF-it në Palestinë, e përshkroi situatën si “një nga katastrofat më të mëdha”.

“Sipas të dhënave tona, 98 për qind e të gjitha shkollave në Rripin e Gazës kanë pësuar dëmtime në shkallë të ndryshme, deri në shkatërrim të plotë,” tha Abu Khalaf.

Ai theksoi se 88 për qind e këtyre shkollave kanë nevojë ose për rehabilitim të plotë, ose për rindërtim total.

Kostoja njerëzore është tronditëse: rreth 638.000 fëmijë të moshës shkollore dhe 70.000 fëmijë të kopshteve kanë humbur dy vite të plota shkollore dhe po hyjnë në një vit të tretë privimi.

Trauma dhe pengesa në të folur

Ndërsa UNICEF-i dhe partnerët e tij kanë ngritur 109 qendra të përkohshme mësimi që u shërbejnë 135.000 nxënësve, plagët psikologjike të luftës po shfaqen në mënyra alarmante.

Abu Khalaf tha se ekipet në terren kanë vërejtur regres të rëndë zhvillimor tek nxënësit dhe se kjo kërkon “përpjekje të dyfishuara” nga specialistët e arsimit.

Ndalimi i librave

Përtej shkatërrimit strukturor dhe traumës, sektori i arsimit përballet edhe me një bllokadë logjistike. Abu Khalaf konfirmoi se që nga fillimi i luftës në tetor 2023, pothuajse asnjë material arsimor nuk është lejuar të hyjë në Rrip.

“Sfida më e madhe, për të qenë i sinqertë, është se … pothuajse asnjë material mësimor nuk ka hyrë fare në Gaza,” tha ai.

UNICEF aktualisht po përgatitet të nisë një fushatë “Kthimi në Mësim”, që synon 200.000 fëmijë, me fokus në gjuhën arabe, anglishten, matematikën dhe shkencën, si dhe aktivitete rekreative për të “riparuar psikikën e fëmijëve para çdo gjëje tjetër”.

Megjithatë, Abu Khalaf theksoi se suksesi i çdo fushate varet nga heqja e kufizimeve nga Izraeli.

“Po komunikojmë me të gjitha palët, përfshirë palën izraelite, për të lejuar hyrjen e materialeve mësimore,” tha ai. “Nuk është në interesin e askujt që një fëmijë në Gaza të mos shkojë në shkollë.” /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button