Ligjvënësit amerikanë reagojnë ndaj sulmit mbi Venezuelën dhe “kapjes” së Nicolas Maduro-s

Sulmi i Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës dhe “kapja” e pretenduar e presidentit Nicolas Maduro kanë nxitur reagime të ashpra në Uashington, DC, mes muajsh tensionesh në rritje mes dy vendeve.

Ligjvënësit demokratë kanë dënuar në masë të madhe veprimet e presidentit amerikan Donald Trump të së shtunës kundër vendit të Amerikës së Jugut dhe udhëheqësit të tij, duke thënë se ato shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe mungon miratimi i domosdoshëm i Kongresit.

Anëtarët e Partisë Republikane të Trump-it, ndërkohë, i kanë mbrojtur sulmet si pjesë e përpjekjeve të administratës për të frenuar trafikimin e drogës drejt SHBA-së.

Më poshtë një përmbledhje e disa reagimeve nga ligjvënësit amerikanë.

Kongresistja demokrate Rashida Tlaib
“Bombardimi i paligjshëm dhe i paprovokuar i Venezuelës nga Trump dhe rrëmbimi i presidentit të saj janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kushtetutës së SHBA-së. Këto janë veprime të një shteti të dalë jashtë kontrollit,” shkroi Tlaib në rrjetet sociale.

“Populli amerikan nuk dëshiron një tjetër luftë për ndryshim regjimi jashtë vendit.”

Senatori demokrat Andy Kim
Senatori demokrat akuzoi Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, se kanë gënjyer kur u thanë ligjvënësve gjatë një informimi në Senat muajin e kaluar se fushata e presionit e SHBA-së ndaj Venezuelës nuk kishte të bënte me ndryshimin e regjimit.

“Nuk i besova atëherë dhe tani po shohim se ata gënjyen hapur Kongresin,” shkroi Kim në X.

“Trump hodhi poshtë procesin kushtetuesisht të kërkuar për miratimin e konflikteve të armatosura, sepse administrata e di se populli amerikan, në shumicë dërrmuese, e refuzon rrezikun e përfshirjes së vendit tonë në një tjetër luftë.”

Ai shtoi se sulmi amerikan “nuk përfaqëson forcë” dhe nuk është “politikë e shëndoshë e jashtme”.

“Vendos amerikanët në rrezik në Venezuelë dhe në rajon, dhe dërgon një sinjal të tmerrshëm e shqetësues për udhëheqës të tjerë të fuqishëm në mbarë botën se shënjestrimi i një kreu shteti është politikë e pranueshme për qeverinë e SHBA-së.”

Kongresistja demokrate Betty McCollum
McCollum, demokratja më e lartë në nënkomisionin e Mbrojtjes të Komisionit të Buxhetit të Dhomës së Përfaqësuesve, i bëri thirrje Trump-it të ndalë menjëherë sulmet amerikane ndaj Venezuelës.

“Veprimet e ndërmarra sot nga administrata Trump janë haptazi të paligjshme,” tha ajo në një deklaratë.

“Venezuela nuk paraqet asnjë kërcënim të menjëhershëm për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe Kongresi nuk ka votuar për të autorizuar ndonjë përdorim force në rajon.”

Ajo i kërkoi Kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ta rikthejë menjëherë Dhomën në seancë “për ta vënë nën kontroll këtë president jashtë kontrollit”.

Senatori demokrat Reuben Gallego
“Kjo luftë është e paligjshme; është e turpshme që nga polici i botës u shndërruam në bullizuesin e botës në më pak se një vit. Nuk ka asnjë arsye pse ne të jemi në luftë me Venezuelën,” shkroi Gallego në X.

Kongresisti demokrat Jim McGovern
McGovern ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mungesën e mbikëqyrjes së Kongresit, duke thënë se “pa autorizim nga Kongresi, dhe me shumicën dërrmuese të amerikanëve kundër veprimit ushtarak, Trump sapo nisi një sulm të pajustifikuar dhe të paligjshëm ndaj Venezuelës”.

“Ai thotë se nuk kemi mjaft para për kujdes shëndetësor për amerikanët — por disi kemi fonde të pakufizuara për luftë??” shkroi ligjvënësi demokrat në X.

Senatori republikan Tom Cotton
Cotton, një aleat i ngushtë i Trump-it në Kongres, përshëndeti presidentin amerikan, si edhe trupat dhe oficerët e zbatimit të ligjit, për një “operacion të jashtëzakonshëm”.

“Nicolas Maduro nuk ishte thjesht një diktator i paligjshëm; ai drejtonte gjithashtu një operacion të gjerë të trafikimit të drogës. Kjo është arsyeja pse u padit në një gjykatë amerikane pothuajse gjashtë vjet më parë për trafik droge dhe narco-terrorizëm,” shkroi Cotton në X.

Ai tha se foli me Rubion, sekretarin amerikan të shtetit, i cili konfirmoi se Maduro ishte në paraburgim amerikan dhe “do të përballet me drejtësinë për krimet e tij kundër qytetarëve tanë”.

Cotton më pas dukej se kërcënoi qeverinë e përkohshme në Venezuelë, duke thënë se ajo duhet të “vendosë nëse do të vazhdojë trafikimin e drogës dhe bashkëpunimin me kundërshtarë si Irani dhe Kuba, apo nëse do të sillet si një shtet normal dhe të kthehet në botën e qytetëruar”.

“I nxis të zgjedhin me mençuri,” shkroi Cotton.

Senatori republikan Mike Lee
Lee, i cili kishte qenë kritik ndaj fushatës së presionit të administratës Trump kundër Venezuelës, tha se Rubio i kishte thënë se Maduro ishte arrestuar “për t’u gjykuar për akuza penale” në SHBA.

Lee shkroi gjithashtu në rrjetet sociale se Rubio i kishte thënë se veprimi ushtarak amerikan në Venezuelë “u ndërmor për të mbrojtur dhe mbështetur ata që po ekzekutonin urdhrin e arrestit”.

“Ky veprim ka të ngjarë të bjerë brenda autoritetit të lindur të presidentit sipas Nenit II të Kushtetutës për të mbrojtur personelin amerikan nga një sulm real ose i menjëhershëm,” tha Lee në një postim në X.

Senatori republikan Rick Scott
Senatori nga Florida tha se “sulmet dhe kapja e narco-terroristit Nicolas Maduro” u kryen “me një nivel profesionalizmi dhe saktësie”.

Ai tha gjithashtu se ato dërgojnë një mesazh për botën se Trump “është njeri i fjalës dhe se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë terroristët”.

“Maduro u padit në një gjykatë amerikane dhe iu tha të ndalonte dërgimin e drogës në vendin tonë për të vrarë fëmijët dhe nipërit tanë, por ai refuzoi. Kjo është ‘paqja përmes forcës’ e shfaqur plotësisht. Sot, Amerika dhe bota janë vende më të sigurta,” shkroi Scott në X.

Kongresistja republkane Marjorie Taylor Greene
Taylor Greene, një ish-aleate e Trump-it e kthyer në kritike, ka ngritur pyetje serioze mbi një standard të dyfishtë të dukshëm në strategjinë e udhëheqësit republikan për të luftuar trafikimin e drogës.

Në një postim në rrjetet sociale, Taylor Greene fajësoi kartelet meksikane të drogës për shumicën e vdekjeve të lidhura me drogat në SHBA, por vuri në dukje se Trump nuk ka kryer sulme kundër atyre grupeve.

Ajo sfidoi gjithashtu pretendimin e administratës Trump se po lufton “narco-terroristët”, duke vënë në dukje se Trump së fundmi fali ish-presidentin e Hondurasit, Juan Orlando Hernandez, i cili ishte dënuar për trafikim të sasive masive të kokainës drejt SHBA-së.

“Vëzhgimi tjetër i qartë është se duke larguar Maduro-n, ky është një hap i qartë për të marrë kontrollin mbi furnizimet e naftës së Venezuelës, që do të sigurojë stabilitet për luftën e radhës së dukshme për ndryshim regjimi në Iran,” shkroi ajo në X.

“Dhe, sigurisht, pse është në rregull që Amerika të pushtojë ushtarakisht, të bombardojë dhe të arrestojë një udhëheqës të huaj, ndërsa Rusia është e keqe për pushtimin e Ukrainës dhe Kina është e keqe për agresionin ndaj Tajvanit? A është e pranueshme vetëm kur e bëjmë ne?” /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button