Trump: SHBA ka goditur Venezuelën dhe ka kapur presidentin Maduro

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një operacion ushtarak në shkallë të gjerë kundër Venezuelës, duke njoftuar se presidenti venezuelian Nicolas Maduro është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit.
Në një postim të publikuar në rrjetin social Truth Social, Trump shkruan se operacioni ka qenë i suksesshëm dhe është zhvilluar në bashkëpunim me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, Presidentit Nicolas Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është transportuar jashtë vendit,” thuhet në deklaratën e Trumpit.
Trump shton se operacioni është realizuar në koordinim me autoritetet ligjzbatuese amerikane, ndërsa ka paralajmëruar se detaje të tjera do të bëhen publike gjatë ditës.
“Ky operacion u krye në bashkëpunim me organet amerikane të zbatimit të ligjit. Detaje të tjera do të pasojnë,” shkruan ai.
Presidenti amerikan ka njoftuar gjithashtu se do të mbajë një konferencë për media më vonë gjatë ditës.
“Do të ketë një konferencë për shtyp sot në orën 11:00, në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje,” përfundon Trump.
Deri më tani, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet venezueliane, ndërsa reagimet ndërkombëtare pritet të intensifikohen përballë një zhvillimi që mund të ketë pasoja të thella gjeopolitike për rajonin dhe më gjerë.



