“Urime Kosovë!” – Bekim Sali vlerëson procesin zgjedhor dhe mbështetjen popullore për Albin Kurtin

Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali ka vlerësuar procesin zgjedhor në Kosovë, duke e cilësuar atë si një tregues të qartë të pjekurisë demokratike dhe funksionimit institucional të vendit.
“Në Kosovë sot u dëshmua një pjekuri e lartë demokratike,” ka shkruar Sali, duke përgëzuar të gjitha subjektet politike për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë proces. Sipas tij, zgjedhjet përfaqësojnë një moment të rëndësishëm për demokracinë dhe stabilitetin e vendit.
Ai ka shprehur pritshmërinë që institucionet e reja të formohen sa më shpejt. “Shpresojmë që institucionet e reja të konstituohen sa më shpejt, në frymë bashkëpunimi dhe uniteti, për t’u përballur me sfidat dhe për të vazhduar rrugën e zhvillimit, integrimit, stabilitetit dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët,” thekson Sali.
Duke iu referuar rezultatit zgjedhor, zëvendëskryeministri i parë ka vlerësuar se fituesi i zgjedhjeve po rikonfirmohet. “Fituesi i këtyre zgjedhjeve tashmë po rikonfirmohet – Albin Kurti, me mbështetjen e fuqishme popullore, mbetet garanci e zhvillimit, sovranitetit dhe sigurisë në Kosovë,” ka shkruar ai.
Në përfundim, Sali ka uruar qytetarët dhe shtetin e Kosovës për procesin zgjedhor. “Urime Kosovë!” ka përmbyllur ai mesazhin e tij.



