Murtezani i uron sukses Bekim Salit: Rruga evropiane kërkon përkushtim dhe vazhdimësi

Ish-ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, ka reaguar përmes një statusi në Facebook, duke reflektuar mbi angazhimin e tij në udhëheqjen e agjendës evropiane të shtetit dhe duke shprehur mirënjohje për bashkëpunëtorët, familjen dhe qytetarët.

“Të udhëheqja agjendën evropiane të shtetit për mua nuk ishte vetëm funksion, por përgjegjësi, besim dhe nder”, shkruan Murtezani, duke theksuar se ky angazhim ka tejkaluar dimensionin formal të detyrës.

Ai ka shprehur falënderime për mbështetjen politike që ka pasur gjatë mandatit të tij. “Shpreh mirënjohjen time ndaj anëtarësisë dhe udhëheqësit e Alternativës dhe VLEN-it për besimin e dhënë, si dhe kryeministrin Mickoski për mbështetjen në udhëheqjen e rrugës evropiane të shtetit”, thuhet në reagimin e tij.

Murtezani ka ndarë gjithashtu një mirënjohje të veçantë për familjen, duke vënë theksin te bashkëshortja e tij. “Është e vështirë të gjenden fjalë të cilat mund të përshkruajnë mirënjohjen për durimin, mirëkuptimin dhe forcën e cila jepet në heshtje, por që vlen më shumë se gjithçka”, shkruan ai.

Duke e cilësuar angazhimin në procesin evropian si qëllim strategjik shtetëror, Murtezani thekson se “ky qëllim i përbashkët i yni tejkalon çdo rol individual dhe çdo mandat”.

Në vazhdim, ai i uron sukses pasardhësit të tij, Bekim Sali. “Kolegut tim, mikut dhe kryetarit të Alternativës, Bekim Sali, i dëshiroj sukses, urtësi dhe këmbëngulje. Rruga evropiane kërkon vazhdimësi, konsekuencë, urtësi kolektive dhe përkushtim”, thekson Murtezani.

Në fund të reagimit, ai shpreh mirënjohje për kolegët nga ministria dhe për qytetarët, duke nënvizuar se angazhimi për integrimin evropian vazhdon. “Sot dhe çdo ditë është vetëm vazhdim i rrugës drejt të njëjtit qëllim… qëllim për të cilin secili prej nesh, nga çdo vend dhe nga çdo pozitë, duhet dhe do të vazhdojmë të punojmë”, përfundon Murtezani.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button