Shefi i ushtrisë libiane dhe zyrtarë të lartë humbin jetën në një aksident ajror pranë Ankarasë

Kryeministri i Libisë, Abdulhamid Dbeibeh, ka njoftuar vdekjen e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë libiane dhe disa zyrtarëve të lartë pas një aksidenti tragjik ajror, teksa po ktheheshin nga një vizitë zyrtare në Turqi.

Në një postim në platformën X, Dbeibeh tha të martën se e kishte marrë lajmin “me dhembje dhe pikëllim të thellë”, duke konfirmuar humbjen e gjeneral-lejtnant Mohammad al-Haddad dhe anëtarëve të delegacionit të tij.

Mes viktimave, përveç al-Haddadit, janë edhe shefi i shtabit të forcave tokësore, kreu i autoritetit të industrisë ushtarake, një këshilltar i shefit të ushtrisë, si dhe një fotograf i zyrës së medias.

Kryeministri bëri të ditur se incidenti ndodhi gjatë kthimit të tyre nga kryeqyteti turk Ankara, pa dhënë detaje shtesë mbi rrethanat e aksidentit.

Duke e cilësuar ngjarjen si një humbje të madhe për vendin dhe forcat e armatosura, Dbeibeh tha se Libia ka humbur burra që i shërbyen atdheut me “sinqeritet, disiplinë dhe përkushtim kombëtar”, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, kolegët e tyre në ushtri dhe për publikun libian.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, deklaroi më herët se mbetjet e një avioni privat me destinacion Libinë, i cili transportonte shefin e ushtrisë libiane dhe ishte nisur nga Ankaraja, janë gjetur në distriktin Haymana të Ankarasë.

Sipas Yerlikaya-s, kontakti me avionin u humb pak pas ngritjes nga Aeroporti Esenboga i Ankarasë.

Avioni i tipit Falcon 50, me numër regjistrimi 9H-DFJ, u ngrit në orën 20:10 sipas kohës lokale (17:10 GMT) me destinacion Tripolin. Komunikimi u ndërpre rreth orës 20:52 (17:52 GMT), tha Yerlikaya në platformën turke të rrjeteve sociale NSosyal.

Ai shtoi se avioni kishte transmetuar një sinjal për ulje emergjente pranë Haymanas, një distrikt në jug të Ankarasë.
“Megjithatë, pas sinjalit fillestar të emergjencës, nuk u arrit të vendosej më kontakt me avionin,” theksoi ai.

Sipas ministrit, në bord ndodheshin pesë pasagjerë, përfshirë al-Haddadin.

Transmetuesi turk NTV raportoi se kontakti radio ishte humbur me një avion privat që besohej se po transportonte al-Haddadin mbi kryeqytet, ndërsa të dhënat e gjurmimit të fluturimeve treguan se disa fluturime u devijuan nga Aeroporti Esenboga si masë paraprake.

Ministria turke e Mbrojtjes kishte njoftuar më herët se shefi i shtabit të ushtrisë libiane po zhvillonte një vizitë në Ankara, ku u takua me homologun e tij turk dhe komandantë të tjerë të lartë ushtarakë. Vizita ishte pjesë e koordinimit të vazhdueshëm ushtarak dhe të sigurisë mes dy vendeve. /TRT World/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button