Turqia nuk sheh qëllim të vërtetë nga SDF për të avancuar bisedimet e integrimit me qeverinë siriane

Forcat Demokratike Siriane (SDF) kanë treguar pak gatishmëri për të bërë përparim në bisedimet mbi integrimin me qeverinë në Damask, tha sot ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, raporton Anadolu.

“Ne shohim se SDF nuk ka asnjë qëllim të vërtetë për të bërë përparim të rëndësishëm në negociatat mbi integrimin me administratën e Damaskut”, tha Fidan në konferencën e përbashkët për mediat së bashku me ministrin e Jashtëm Sirian, Asaad Hassan al-Shaibani në kryeqytetin e Sirisë, Damask.

Ai shtoi se sjellja e grupit është bërë pengesë serioze për bisedimet në vazhdim, duke e akuzuar atë për koordinimin e aktiviteteve të caktuara me Izraelin. “Fakti që SDF kryen disa nga aktivitetet e saj në koordinim me Izraelin aktualisht përfaqëson pengesë të madhe në diskutimet që po zhvillohen me Damaskun”, tha Fidan.

Komentet erdhën ndërsa Fidan, ministri i Mbrojtjes Kombëtare Turke Yasar Guler dhe shefi i inteligjencës Ibrahim Kalin janë në një vizitë pune në Damask, sipas burimeve të Ministrisë së Jashtme.

Delegacioni zhvilloi takime me presidentin sirian Ahmad al-Sharaa dhe zyrtarë të tjerë të lartë sirianë për të vlerësuar në mënyrë gjithëpërfshirëse rrjedhën e marrëdhënieve turko-siriane gjatë vitit të kaluar pas përmbysjes së regjimit të Bashar al-Assadit.

Bisedimet pritet të përqendrohen në zbatimin e marrëveshjes së arritur më 10 mars, e cila është e lidhur ngushtë me prioritetet e sigurisë kombëtare të Turqisë si dhe me rreziqet e reja të sigurisë në Sirinë jugore që rrjedhin nga veprimet e Izraelit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button