Prokuroria kërkon paraburgim për dy argjendarë që kanë shmangur mbi një milion euro tatim

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër dy personave, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se për një periudhë të gjatë kohore kanë kryer vepër penale – shmangie tatimore.
“Në një periudhë prej pesë vitesh, nga fillimi i vitit 2020 deri në fund të vitit 2024, të dyshuarit kanë shmangur pagesën e tatimeve dhe i kanë shkaktuar dëm Buxhetit të shtetit në shumën totale prej 64.924.298 denarësh, respektivisht mbi një milion euro.
Të dy, në cilësinë e pronarëve dhe drejtuesve të një personi juridik nga Shkupi, me qëllim që të shmangnin pagesën e plotë të tatimit personal mbi të ardhurat prej 11,11 për qind dhe tatimit mbi vlerën e shtuar prej 18 për qind, për të cilat kanë qenë të obliguar me ligj, kanë dhënë të dhëna të rreme ose nuk kanë paraqitur fare fakte me rëndësi për përcaktimin e shumës së këtyre detyrimeve, çka ka sjellë në moskonstatimin e detyrimit tatimor.
Shmangien e tatimeve e kanë realizuar duke mos paraqitur detyrimet ligjore tatimore nga tregtia me stoli ari, shufra ari dhe argjend të papërpunuar, si dhe mbetjet e papërpunuara të metalit të çmuar.
Duke vlerësuar të gjitha rrethanat, para së gjithash rrezikun e arratisjes, mundësinë që të vazhdojnë kryerjen e veprës penale dhe rrezikun e ndikimit mbi dëshmitarët, prokurori publik i ka dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit. Gjatë kësaj, prokurori publik ka marrë parasysh edhe peshën e veprës penale që u vihet në barrë dhe lartësinë e përfitimit të paligjshëm, i cili është i përmasave të mëdha”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.



