Trump padit BBC-në – kërkon 5 miliardë dollarë dëmshpërblim

Presidenti amerikan Donald Trump ka ngritur një padi prej 5 miliardë dollarësh kundër BBC-së, duke e akuzuar për manipulim të fjalimit të tij të 6 janarit 2021 në dokumentarin “Panorama”.
Swiss Residence
Trump e ka akuzuar transmetuesin publik britanik për shpifje dhe shkelje të ligjeve mbi praktikat tregtare, sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura në Florida. BBC i kërkoi falje Trumpit muajin e kaluar, por refuzoi kërkesën e tij për dëmshpërblim, duke deklaruar se nuk ka “bazë për padi për shpifje”.
Avokatët e Trumpit pretendojnë se BBC e ka shpifur presidentin përmes “manipulimit të qëllimshëm, keqdashës dhe mashtrues të fjalimit të tij”.
BBC ende nuk ka komentuar lidhur me padinë. Trump muajin e kaluar njoftoi se do ta padiste BBC-në për shkak të dokumentarit, i cili u transmetua në Mbretërinë e Bashkuar para zgjedhjeve presidenciale në SHBA në vitin 2024.
“Mendoj se duhet ta bëj këtë. Ata mashtruan. I ndryshuan fjalët që dolën nga goja ime”, u tha Trump gazetarëve, duke folur për padinë.
Në fjalimin e 6 janarit 2021, menjëherë para trazirave në Kapitolin amerikan, Trump i tha turmës:
“Po shkojmë drejt Kapitolit dhe do t’i inkurajojmë senatorët dhe përfaqësuesit tanë të guximshëm”.
Më shumë se 50 minuta më vonë, në të njëjtin fjalim, ai shtoi:
“Dhe ne luftojmë. Luftojmë deri në fund”.
Në padi, Trump pretendon se BBC kishte marrëveshje me distributorë të tjerë për shfaqjen e përmbajtjes, përfshirë një marrëveshje me një kompani të tretë mediatike, për të cilën thotë se kishte licencë për shpërndarjen e dokumentarit jashtë Mbretërisë së Bashkuar.
BBC nuk ka komentuar këto akuza, as kompania që thuhet se i zotëronte të drejtat e shpërndarjes.



