OCHA: Rreth 850,000 palestinezë të zhvendosur përballen me rrezikun më të lartë të përmbytjeve në Gaza

Gati 850,000 persona, që aktualisht strehohen në 761 qendra zhvendosjeje në Rripin e Gazës, përballen këtë javë me rrezikun më të lartë të përmbytjeve, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).
Në një përditësim, OCHA tha se ka regjistruar më shumë se 3,500 lëvizje të të zhvendosurve mes 7 dhe 8 dhjetorit, me gjasë në pritje të reshjeve të dendura dhe stuhive të forta që pritet të godasin Palestinën duke filluar nga sot.
Sipas zyrës, përmbytje janë regjistruar më herët në më shumë se 200 nga vendet me rrezikun më të lartë, duke prekur më shumë se 140,000 persona.
Stuhitë e kaluara kanë ndotur qendrat e zhvendosjes me ujëra të zeza dhe mbeturina të ngurta, kanë zhdukur tenda familjesh dhe i kanë detyruar njerëzit të braktisin strehimet e tyre të improvizuara. /Al Jazeera/



