Kosovë, ngrihet aktakuzë për krime lufte kundër të dyshuarit për vrasjen e tre civilëve në Zveçan
“I pandehuri me pjesëtarë të tjerë të paindentifikuar, të organiuzuar në formacione të strukturuara, të uniformuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, kishte ndërmarrë operacion për rrethimin e fshatit në Komunën e Zveçanit”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.Gj. për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, transmeton Anadolu.
Prokuroria ka njoftuar se sipas aktakuzës, gjatë periudhës 1998 – 1999, në Komunën e Zveçanit, i pandehuri M.Gj., në bashkëkryerje me pjesëtarët të tjerë të forcave policore serbe dhe nën përgjegjësinë individuale dhe atë komanduese, në cilësinë e e Komandantit të Repartit Policor (përbërja rezerve) në Komunën e Zveçanit, ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile.
“Po ashtu, më 29 prill 1999, i pandehuri me pjesëtarë të tjerë të paindentifikuar, të organiuzuar në formacione të strukturuara, të uniformuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, kishte ndërmarrë operacion për rrethimin e fshatit në Komunën e Zveçanit”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se gjatë këtij operacioni janë vrarë tre banorë civilë, ndërsa shtatë persona të tjerë u rrëmbyen, derisa trupat e gjashtë prej tyre u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll dhe trupi i viktimës së shtatë mbetet ende i zhdukur. Gjithashtu, në këtë operacion u dogjën edhe shtëpi dhe u shkatërruan pasuri të ndryshme materiale.
Rasti i është kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet në paraburgim.



