Gashi vlerëson Doha Forum 2025: “Një nga zhvillimet më të rëndësishme të dekadës”

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka vlerësuar lart organizimin, diskutimet cilësore dhe prezantimet e rëndësishme të përmbylljes së Doha Forum 2025, gjatë prononcimit për mediat në Katar.
Gashi tha se motoja qendrore e Forumit ishte ndër më të rëndësishmet dhe më të nevojshmet për realitetin bashkëkohor, pasi trajton sfidat që lidhen me drejtësinë dhe veprimet që duhen ndërmarrë për ta mbrojtur atë. Ai theksoi se, përballë sfidave globale dhe konflikteve të shumta, njerëzimi duhet të ndërmarrë veprime vendimtare për t’i dhënë fund luftërave nëpër botë.
Kryeparlamentari vlerësoi rolin e Katarit në ndërmjetësim dhe paqendërtim, duke shprehur mirënjohje të veçantë për përfshirjen e Dohas, së bashku me SHBA-në, Egjiptin dhe Turqinë, në avancimin e një plani paqeje për Palestinën. Sipas tij, ky angazhim mund të shndërrohet në një nga zhvillimet më të rëndësishme të vitit, nëse jo të dekadës.
Në aspektin bilateral, Gashi kujtoi se vitin e ardhshëm Maqedonia e Veriut dhe Katari shënojnë 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ai vuri në dukje se raportet janë përmirësuar dukshëm që nga viti 2015, megjithëse pandemia ndikoi përkohësisht në ritmin e bashkëpunimit. Megjithatë, me qeverinë dhe përbërjen e re parlamentare, ai tha se Shkupi është i gatshëm t’i thellojë më tej marrëdhëniet me Katarin, duke u mbështetur në bazën e fortë ligjore që tashmë ekziston.
Gashi shtoi se vizita e tij në Këshillin e Shura-s ishte pjesë e përpjekjeve për të forcuar marrëdhëniet parlamentare mes dy vendeve, duke theksuar përkushtimin e ndërsjellë për rezultate më të mira për qytetarët e të dyja palëve.
Nga ana tjetër, drejtoresha e Doha Forum, Maha AlKawari, në një deklaratë për Qatar Tribune, shprehu kënaqësinë e saj për mbylljen e suksesshme të Forumit. Ajo vlerësoi punën e palodhur të ekipit organizativ dhe e cilësoi ceremoninë përmbyllëse si të jashtëzakonshme, veçanërisht me fjalimin kryesor të Lartmadhërisë së Saj, Sheikha Moza bint Nasser — për herë të parë në historinë e Forumit. /Qatar-Tribune



