Tërmeti masiv në Japoni plagos 30 persona, valët e cunamit arrijnë në brigjet e Paqësorit

Të paktën 30 persona u plagosën në një tërmet të fuqishëm me magnitudë 7,5 ballë të shkallës Rihter që goditi Japoninë verilindore të hënën vonë në mbrëmje, ndërsa valët e cunamit deri në 70 centimetra arritën në bregun e Paqësorit, raportuan mediat lokale, transmeton Anadolu.
Shumica e lëndimeve u raportuan në Aomori dhe Hokkaido, të cilat ndodhen përgjatë një hendeku të madh sizmik ku tërmete të fuqishme ndodhin shpesh ndërsa Pllaka e Paqësorit zhytet nën Honshu, sipas “Kyodo News”.
Magnituda e tërmetit fillimisht u regjistrua si 7,6 përpara se të rishikohej në 7,5.
Autoritetet paralajmëruan se rajoni mund të përjetojë një tërmet tjetër me intensitet të ngjashëm ose më të madh në ditët në vijim, dhe qeveria urdhëroi mijëra banorë të përgatiten për evakuim.
Për herë të parë, Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) lëshoi një alarm të veçantë për zonat bregdetare të Hokkaidos dhe vijën bregdetare Sanriku, e cila shtrihet përgjatë prefekturave Aomori, Iwate dhe Miyagi.
Pas tërmetit, i cili ndodhi rreth orës 23:15 sipas orës lokale të hënën, Tokio lëshoi paralajmërime dhe këshilla për cunami, duke i nxitur njerëzit të kërkonin strehim. Megjithatë, paralajmërimet u hoqën më vonë.
Tërmeti u mat në një thellësi prej 53,1 kilometrash larg bregdetit të prefekturës veriore të Aomorit.
Kryeministrja Sanae Takaichi u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë, të ndjekin përditësimet nga zyrtarët lokalë dhe të marrin masa paraprake, të tilla si sigurimi i sendeve shtëpiake të paqëndrueshme.
“Qeveria u kërkon banorëve të vazhdojnë aktivitetet sociale dhe ekonomike, duke ruajtur gatishmërinë për t’u evakuuar menjëherë nëse ndihet ndonjë lëkundje”, u tha Takaichi gazetarëve.
Disa lëkundje pasuese të moderuara, me magnitudë nga 5 deri në 6,6, u raportuan gjithashtu në orët pas tërmetit kryesor, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.
Pas tërmetit masiv, paralajmërime për cunami ishin lëshuar fillimisht për prefekturat Aomori, Iwate dhe Bregun Qendror të Paqësorit të Hokkaidos, me paralajmërime për cunami për prefekturat Miyagi, Fukushima dhe Bregun Perëndimor dhe Lindor të Paqësorit të Hokkaidos.
Më vonë, paralajmërimet për cunami për të gjitha rajonet u ulën në një nivel këshillimi, ndërsa tërmeti shkaktoi gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike në rreth 2.700 shtëpi në Aomori.
Nuk janë raportuar anomali nga centralet bërthamore në Hokkaido ose në prefekturat verilindore të Aomorit, Miyagi dhe Fukushima.



