Gjermania kritikon strategjinë e sigurisë kombëtare të SHBA-së për “tone kritike kundër BE-së”

Gjermania të hënën kritikoi ashpër strategjinë e re të sigurisë kombëtare të SHBA-së, duke e konsideruar me “tone kritike kundër BE-së”, transmeton Anadolu.
“Ne i hedhim poshtë komentet pjesërisht kritike të drejtuara ndaj BE-së. Liritë politike, përfshirë të drejtën e lirisë së shprehjes, janë ndër vlerat themelore të BE-së. Ne i shohim sulmet në këtë drejtim si ideologji dhe jo si strategji”, tha zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane, Sebastian Hille, në një konferencë për shtyp në Berlin.
“Ne gjithashtu nuk pajtohemi shprehimisht me disa pika në analizën gjeopolitike. Strategjia nuk e klasifikon Rusinë si kërcënim. Ne nuk e ndajmë këtë vlerësim. Ne mbështesim analizën e përbashkët të NATO-s, sipas së cilës Rusia është një rrezik dhe një kërcënim për sigurinë transatlantike”, shtoi ai.
Dokumenti i ri i strategjisë së sigurisë kombëtare të SHBA-së i publikuar javën e kaluar, u kritikua ashpër nga politikanët evropianë lidhur me pretendimin se Evropa censuron lirinë e fjalës dhe shtyp opozitën politike.
Dokumenti prej 33 faqesh akuzoi qeveritë evropiane se kundërshtojnë lëvizjet e ekstremit të djathtë dhe anti-emigracion. Ai pretendon se kontinenti është në rënie ekonomike dhe përballet me një “perspektivë reale dhe më të zymtë të zhdukjes qytetëruese” brenda 20 viteve të ardhshme.
“Çështjet më të mëdha me të cilat përballet Evropa përfshijnë aktivitetet e Bashkimit Evropian dhe organeve të tjera transnacionale që minojnë lirinë dhe sovranitetin politik, politikat e migracionit që po transformojnë kontinentin dhe po krijojnë konflikte, censurën e lirisë së fjalës dhe shtypjen e opozitës politike, rënien e lindjeve dhe humbjen e identiteteve dhe vetëbesimit kombëtar”, tha dokumenti.



