Greqi, vonohen subvencionet, bujqit “bllokojnë” shtetin

Policia greke ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë fermerët që u përpoqën të bllokonin rrugën kryesore hyrëse drejt aeroportit të Selanikut, në një kohë kur protestat po përshkallëzohen në të gjithë vendin për shkak të vonesave në subvencionet bujqësore nga BE-ja.
Fermerët kanë vendosur mijëra traktorë dhe automjete në rrugë kyçe dhe në pikat kufitare, duke paralajmëruar se do të vazhdojnë me bllokada të rrugëve, aeroporteve dhe porteve. Afër aeroportit të Selanikut, rreth 300 fermerë me mbi njëqind traktorë mbyllën pjesë të rrugëve hyrëse, ndërsa një grup më i vogël u përpoq të çante kordonin policor.
Policia po devijon pjesërisht trafikun, por tashmë ka bllokime të mëdha në pikat kufitare me Bullgarinë, Turqinë dhe Maqedoninë e Veriut. Fermerët paralajmërojnë se vonesat në pagesa i çojnë drejt borxheve dhe i pengojnë të fillojnë mbjelljet e reja, ndërsa situata është përkeqësuar edhe nga epidemia e lisë së dhive dhe deleve.
Sipas tyre, problemi është një “çështje mbijetese”. Ata thonë se nëse prodhimi ndalet, pasoja do të ketë edhe për furnizimin me ushqime në qytete. Fermerët u bëjnë apel qytetarëve t’i mbështesin dhe qeverisë të sigurojë një zgjidhje të menjëhershme.
Pagesat janë pezulluar pasi u zbulua një mashtrim i madh me subvencione. Hetimi i udhëhequr nga EPPO ka zbuluar 324 persona që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme 19.6 milionë euro. Skandali tashmë ka shkaktuar dorëheqje dhe mbylljen e agjencisë shtetërore përgjegjëse për këto pagesa.
Protestat e fermerëve nuk janë të rralla në Greqi, por bllokadat e reja rrezikojnë përsëri të paralizojnë qarkullimin rrugor në vend.



