Fillon takimi i ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel

Ministrat e Jashtëm të NATO-s u takuan në Bruksel për të diskutuar përgatitjet për samitin që do të mbahet në korrikut në Ankara, për kërcënimet në rritje ndaj sigurisë kolektive dhe mbështetjen për Ukrainën, transmeton Anadolu.

Në fjalën e tij hapëse në selinë e NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se aleatët do të diskutojnë progresin e bërë në forcimin e mbrojtjes kolektive që nga Samiti i Hagës dhe përgatitjet për samitin e ardhshëm në Ankara në korrik 2026.

“Rusia vazhdon të testojë aftësinë tonë parandaluese. Ajo ka shkelur hapësirën tonë ajrore me avionë dhe dronë, ka kryer akte sabotimi dhe ka dërguar anije spiune në ujërat tona territoriale. Këto veprime janë të pamatura dhe të rrezikshme”, tha Rutte.

Ai theksoi se Rusia nuk po vepron vetëm. “Rusia po vepron në bashkëpunim të ngushtë me Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin për të destabilizuar shoqëritë tona dhe për të shpërfillur rregullat globale”, tha Rutte.

“Anëtarët e NATO-s ndaj kësaj dhanë përgjigje në mënyrë të vendosur, në unitet dhe në mënyrë të fuqishme, dhe se të gjithë anëtarët duhet të marrin përgjegjësi më të madhe dhe më të shpejtë”, shtoi ai.

Kreu i Aleancës tha se duhet të rritet edhe mbështetja për Ukrainën ndërsa përsëriti se i kanë mirëpritur përpjekjet paqësore që ka ndërmarrë SHBA-ja.

– Sesioni i parë për të trajtuar çështjet kryesore

Sesioni i parë i takimit do të trajtojë çështjet prioritare në axhendën e NATO-s. Në këtë kontekst, pika kryesore e rendit të ditës pritet të jenë zhvillimet e fundit në sigurinë euroatlantike, veçanërisht lufta Rusi-Ukrainë.

Në Këshillin e NATO-Ukrainë, ku do të marrin pjesë ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, parashikohet që të trajtohet situata në luftën Rusi-Ukrainë, përpjekjet për t’i dhënë fund luftës dhe përpjekjet për reforma në Ukrainë.

– Turqia e përfaqësuar nga ministri i Jashtëm Fidan

Në takim Turqia përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Hakan Fidan. Ai pritet të zhvillojë bisedime dypalëshe me homologët e tij si pjesë e takimit ndërsa parashikohet të nënvizojë kontributet e Turqisë në NATO dhe sigurinë evropiane përmes aftësive të saj të forta dhe moderne ushtarake dhe industrisë mbrojtëse.

Fidan do të ndajë informacion me ministrat e Jashtëm të vendeve aleate mbi përgatitjet për Samitin e NATO-s në Ankara. Ai do të theksojë se përpjekjet për të forcuar shtyllën evropiane të NATO-s duhet të jenë plotësuese dhe jo përsëritëse, të përsërisë mbështetjen e Turqisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe të nënvizojë gatishmërinë e Turqisë për të kontribuar në çdo mënyrë në procesin e paqes.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button