Kuvendi do ta mbajë seancën e 72-të, në rend dite zgjedhja e kryetarit të KSHPK-së

Kuvendi sot duhet ta mbajë seancën e 72-të plenare. Në rend dite janë disa propozim-vendime, mes tyre edhe ai për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Për kryetar të Antikorrupsionit është propozuar sekretari i përgjithshëm aktual i komisionit, Adem Çuçull.

Në rendin e propozuar të ditës janë edhe dy propozimet për formimin e Komisionit Anketues për përcaktimin e rrethanave në veprimin e institucioneve lidhur me tragjeditë dhe aksidentet në Republikën e Maqedonisë së Veriut — një propozim nga shumica qeverisëse për tragjeditë në Koçan, spitalin modular, Durmo Turs dhe Laskarcë; si dhe një propozim për formimin e Komisionit Anketues për tragjedinë në Koçan në mars 2025, propozuar nga Levica, LSDM dhe BDI.

Në këtë seancë në rend dite janë edhe: propozimi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar për Arsimin e Lartë dhe Veprimtarinë Shkencore-Kërkimore, zgjedhja e një anëtari të këtij këshilli, propozimi për shpalljen e konkursit publik për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe shpalljen e konkursit publik për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik.

Deputetët duhet të deklarohen edhe për: propozimin e ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes midis Qeverisë së Republikës së Francës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut; për ligjin e plotësuar për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për të drejtat e komuniteteve që janë më pak se 20% të popullsisë; për ndryshimet në ligjin për shërbimet mediatike audio dhe audiovizuale; ndryshimet në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar; si dhe propozimin e ligjit për shndërrimin e borxheve të RMV-së nga detyrimet publike në investim të përhershëm në Ndërmarrjen Publike për menaxhimin e objekteve sportive në pronësi të Republikës së Maqedonisë – Shkup — të gjitha në lexim të dytë.

Në rend dite janë edhe: propozimi i programit afatmesëm për formimin, ruajtjen, rinovimin dhe përdorimin e rezervave shtetërore për periudhën 2026–2030 dhe propozimi i ligjit për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, me procedurë të përshpejtuar.

Me procedurë të shkurtuar propozohet miratimi i ndryshimeve në: ligjin për ndërtim, ligjin për mbështetjen financiare të investimeve, ligjin për arsimin e mesëm dhe ligjin për arsimin fillor.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button