Bilanci i viktimave nga përmbytjet në Indonezi kalon shifrën 500

Numri i viktimave nga përmbytjet shkatërruese që goditën Indonezinë javën e kaluar ka kaluar mbi 500, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit ende po luftojnë për të arritur zonat më të prekura.
Përmbytjet, të shkaktuara nga një ciklon i rrallë që ishte formuar mbi Ngushticën e Malakës, kanë goditur tre provinca dhe kanë prekur rreth 1.4 milionë njerëz, sipas agjencisë shtetërore të menaxhimit të katastrofave.
Rreth 500 persona të tjerë vazhdojnë të raportohen të zhdukur, ndërsa mijëra janë lënduar.
Indonezia është vetëm një nga vendet e Azisë që këto ditë është goditur nga reshjet e dendura dhe stuhitë. Viktima janë raportuar edhe në Tajlandë, Malajzi dhe Sri Lanka.
Provincat më të prekura në Indonezi janë Aceh, Sumatra e Veriut dhe Sumatra Perëndimore, ku mijëra banorë vazhdojnë të jenë të izoluar dhe pa furnizime bazë.
Arini Amalia, banore e rajonit Pidie Jaya në Aceh, tha për BBC se përmbytja ka qenë “si cunami”.
“Sipas gjyshes time, kjo është më e keqja që ka përjetuar ndonjëherë,” u shpreh ajo.
Punonjësit e ndihmave po tentojnë të arrijnë tek banorët në këmbë ose me motoçikleta, pasi shumë rrugë janë të pakalueshme për automjete të mëdha. Pamjet nga terreni tregojnë ura të shkatërruara, rrugë të mbuluara me baltë e mbeturina dhe trungje pemësh të grumbulluara në masë.
Në monumentin “Dy Urat Binjake” në Sumatrën Perëndimore, ku përmbytja ka lënë pas sasira të mëdha balte dhe mbeturinash, Mariana priste me shpresë teksa ekskavatorët pastronin zonën – duke kërkuar mes tyre edhe të afërmit e zhdukur, përfshirë djalin e saj 15-vjeçar.
Shumë banorë raportojnë se ende nuk kanë marrë ushqim, me disa që thonë se nuk kanë ngrënë për dy deri në tre ditë.
Maysanti, nga distrikti Central Tapanuli në Sumatran e Veriut, tha për BBC se ekipi i ndihmave nuk po arrin dot të depërtojë në zonë.
“Gjithçka ka marrë fund; furnizimet tona po mbarojnë. Nuk kemi çfarë të hamë,” tha ajo. “Edhe për një pako makarona po zihet njerëzia. Na duhet ushqim, na duhet oriz”.
Ajo tregon se duhet të ecë disa kilometra larg shtëpisë për të kapur sinjal interneti dhe për të siguruar ujë të pijshëm.
Në Acehin Qendror, ku autoritetet kanë shpërndarë pajisje Starlink, mijëra persona u panë duke pritur në radhë të dielën mbrëma për të kontaktuar të afërmit apo për të karikuar telefonët.
“Janë pesë ditë pa sinjal. Po presim që nga dje që mbase kthehet rrjeti. Dua të marr mamanë në Banda Aceh, por ende s’po arrij ta kap,” tha një banor i quajtur Mar.
Ndërkohë që operacionet e shpëtimit vazhdojnë, po rritet zemërimi ndaj reagimit të qeverisë. Kritikat theksojnë mungesën e gatishmërisë dhe burokracinë që, sipas tyre, ka vonuar shpërndarjen e ndihmave.
Të hënën, presidenti Prabowo Subianto – i cili vizitoi disa nga zonat e prekura në Sumatran e Veriut – pranoi se disa rrugë ende janë të bllokuara, por shtoi se “po bëjmë gjithçka që mundemi për t’i kapërcyer vështirësitë”./BBC



