Ministri i Shëndetësisë: Për të lënduarit nga zjarri në Koçan u ofrua trajtim i shkëlqyer nga Turqia

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Turqi, ka vizituar Spitalin Bilkent të qytetit Ankara, ku ishin pranuar dhe trajtuar gjashtë personat e plagosur nga incidenti me zjarrin që ndodhi në muajin mars në Koçan, transmeton Anadolu.
Kabineti i ministrit njoftoi se Aliu gjatë vizitës u takua me dr. Ali Emre Akgun dhe dr. Merve Akin, të cilët e informuan për të gjithë procesin e trajtimit, përkatësisht nga pranimi e deri te përfundimi i mjekimit të pacientëve.
Aliu gjatë vizitës tha se vendi i tij me Turqinë kanë një bashkëpunim shumë të mirë në fushën e shëndetësisë dhe theksoi se pikërisht Turqia ishte ndër të parët që ofroi ndihmë për hospitalizimin e personave të lënduar nga zjarri në Koçan.
“Këtu, në spitalin e qytetit Ankara Bilkent, u hospitalizuan gjashtë pacientë, për të cilët u sigurua trajtim i shkëlqyer nga ekipet mjekësore sipas standardeve evropiane. Me drejtuesit e spitalit diskutuam për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të mëtejshëm të përvojave”, tha Aliu.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje të veçantë ndaj drejtuesve dhe ekipeve mjekësore të spitalit për përkushtimin e jashtëzakonshëm në kujdesin dhe trajtimin e personave të lënduar nga tragjedia në Koçan.
Në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në një lokal nate si pasojë e lëndëve piroteknike gjatë një mbrëmjeje argëtuese, ku si pasojë humbën jetën 63 persona dhe rreth 200 të tjerë mbetën të plagosur. Disa nga të plagosurit u shtruan në spitalet vendore, ndërsa të tjerë u dërguan për trajtim jashtë vendit, duke përfshirë Turqinë.



