Greqia nuk do ta ekstradojë personin i cili kreu vrasje para 28 viteve në Maqedoni

Shtetasi i Maqedonisë, i kërkuar me urdhër-arrest evropian për vrasje para 28 vjetësh dhe i arrestuar në fund të majit të këtij viti në qytetin grek të Katerinit, nuk do të ekstradohet në Maqedoni, për shkak të vjetërsimit të lëndës, ka vendosur gjykata në Selanik, raporton agjencia greke e lajmeve ANA-MPA.

Me refuzimin e kërkesës për ekstradim, gjykatësit kanë vendosur gjithashtu të lirojnë personin nga masa e paraburgimit.
Vrasja, për të cilën 60-vjeçari ishte i kërkuar me urdhër-arrest evropian, ka ndodhur në Maqedoni në nëntor të vitit 1997, dhe viktimë ishte një shtetas i Maqedonisë, 37-vjeçar. Kryerësi i veprës ishte dënuar atëherë me 15 vjet burg, por kishte ikur në Greqi. Para gjashtë muajsh, ai u arrestua në Katerini.

Sipas dokumenteve gjyqësore dhe materialeve të prokurorisë në Maqedoni, 60-vjeçari shkaktoi me qëllim një aksident trafiku. Kur viktima doli nga automjeti për të parë dëmet, ai qëlloi ndaj tij dhe e vrau. Një vit më pas u mbajt gjykimi dhe ai u dënua me 15 vjet burg.
Para gjykatës në Selanik, ai ka shpjeguar se pas lirimit nga paraburgimi iku dhe u vendos në Greqi, ku aktualisht ka një biznes me dhoma me qira në rajonin e Pierias.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button