Dibër: Përfundon me sukses projekti i ujësjellësit të ri për fshatin Mogorçë

Komuna e Dibrës njofton se ka përfunduar me sukses projekti i ujësjellësit të ri për fshatin Mogorçë, një investim strategjik që do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me ujë të pijshëm për banorët e zonës.
Projekti përfshiu ndërtimin e një ujësjellësi të gjatë 3.4 kilometra, që lidh burimin natyror me dy rezervoarët kryesorë të fshatit, duke zgjidhur përfundimisht problemet shumëvjeçare të mungesës dhe furnizimit të pasigurt me ujë.
Përveç ujësjellësit, është realizuar edhe hapja dhe rregullimi i rrugës malore, e cila do të mundësojë qasje të lehtë të mjeteve të mirëmbajtjes përgjatë gjithë vitit dhe do të lehtësojë lëvizjen e blegtorëve dhe banorëve drejt zonave malore, njoftoi kryetari i Dibrës, Fisnik Mela.
“Ky projekt është dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të komunës për të përmirësuar cilësinë e jetesës dhe për të realizuar investime të qëndrueshme në çdo lokalitet të Dibrës”, ka thënë Mela.
Ai shtoi se Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në vazhdimin e zhvillimit të infrastrukturës, modernizimin e shërbimeve dhe krijimin e kushteve më të mira për të gjithë qytetarët.
Ky investim i rëndësishëm pritet të sjellë përmirësim të dukshëm në jetën e përditshme të banorëve të Mogorçës, duke garantuar ujë të pastër dhe të bollshëm gjatë gjithë vitit.



