Protestë në Strasburg për ish krerët e UÇK: Po mbahen në Hagë padrejtësisht!

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestojnë sot 13:00 para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që sipas tyre, po mbahen në Hagë padrejtësisht.
Drejtuesi i OVL-UÇK, Hysni Gucati, pohoi aksioni i tyre ka për qëllim thirrjen për drejtësi, por edhe për t’i kujtuar institucioneve europiane se krijimi i kësaj gjykate u bë mbi gënjeshtrat e ish-senatorit zviceran, Dick Marty.

Gucati pret mbështetje të madhe në këtë protestë nga ana e diasporës shqiptare. Ai tha për mediat në Prishtinë se do t`i dërgojnë nga një letër të gjithë anëtarëve të Parlamentit të KiE-së për t’ua dëshmuar padrejtësinë e Gjykatës Speciale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët prej pesë vitesh mbahen në Hagë nën akuzën “për krime lufte”.

“Të gjitha vërejtjet e shkeljet i kemi vendosur në dokumentacione për secilin deputet që ta lexojë dhe ta dijë edhe vetë se çfarë gjykate janë duke financuar”, ka deklaruar ai. Paraprakisht, protesta të ngjashme janë mbajtur në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë, ndërsa, kur u pyet për mundësitë e organizimit të një proteste në Shkup, Gucati tha se për momentin kjo nuk mund të ndodhë, për shkak të situatës politike atje. Ai e pershkroi sakaq dëshminë e ish-gjeneralit amerikan Wesley Clark në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, si një bombë për Gjykatën Speciale.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi sakaq nga ana e tij se sot ndodhet “me mendje e me zemër pranë bashkëkombasve që protestojnë në Strasburg”, siç shprehet, “aty ku filloi padrejtësia e madhe ndaj UÇK-së dhe popullit shqiptar, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”.

“Hashimi, Kadriu, Rexhepi, Jakupi dhe të tjerët janë aleatë të SHBA dhe BE vendin e kanë në Kosovë. Pafajësia e tyre u konfirmua nga miqtë tanë amerikan e europian në Hagë, prandaj, lironi djemtë tanë!”, ishte apeli i tij.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button