Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve publikojnë email-et e Epsteinit që dyshohet se i referohen Trumpit

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së publikuan posta elektronike të reja nga pasuria e abuzuesit seksual Jeffrey Epstein, për të cilat thuhet se i referohen Donald Trumpit dhe që ngrenë pyetje mbi atë se sa shumë dinte për krimet e Epsteinit presidenti amerikan, i cili ishte mik me Epsteinin vite para se të bëhej president, transmeton Anadolu.
Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen dhe Reformën Qeveritare në platformën sociale të kompanisë amerikane X se tha se ka marrë postat elektronike nga pasuria e Epsteinit që ngrinin “pyetje serioze” në lidhje me Trumpin dhe njohuritë e tij për aktivitetet e Epsteinit.
Korespondenca, e mbushur me gabime drejtshkrimore, përfshin një postë elektronike të prillit të vitit 2011 midis Epsteinit dhe “Gmax”, që ka gjasa t’i referohet Ghislaine Maxwellit, bashkëpunëtores së tij të dënuar.
Në mesazh, Epstein shkruan se ka kuptuar që “qeni që s’ka lehur është Trump”, duke përmendur një viktimë të paidentifikuar që kishte kaluar orë të tëra me Trumpin në shtëpinë e tij, duke shtuar se “ai nuk është përmendur asnjëherë”.
Një postë elektronike tjetër, në janar të vitit 2019, nga autori Michael Wolff drejtuar Epsteinit, pretendon se Trump e “dinte për vajzat, pasi i kishte kërkuar Ghislaineit të ndalojë”.
Epstein ndërroi jetë në paraburgim federal në gusht të vitit 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza të trafikut seksual. Maxwell u dënua në vitin 2021 për akuza të trafikut seksual dhe komplot, të lidhura me rekrutimin dhe përgatitjen e vajzave të mitura që Epstein t’i abuzonte.



