Kryediplomatja e BE-së: SHBA-ja të rrisë presionin mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas i bëri thirrje SHBA-së të shtojë presionin mbi Rusinë, duke thënë se Moska duhet të detyrohet të hyjë në negociata për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, transmeton Anadolu.

Duke folur për gazetarët përpara ditës së dytë të Samitit të liderëve të BE-së sot në Bruksel, Kallas tha se nuk ka indikacione se Rusia është e gatshme t’i japë fund luftës ose të angazhohet në armëpushim apo proces paqeje. “Ne po punojmë për paketën e re të sanksioneve për të ushtruar presion mbi Rusinë. Dhe, sigurisht, shpresojmë që ta bëjmë këtë me të gjithë partnerët tanë në mbarë botën”, tha ajo.

“Ne po përpiqemi t’i bindim edhe partnerët tanë amerikanë se nëse duam t’i japim fund kësaj lufte, atëherë duhet ta shtrëngojmë agresorin sepse nuk bëhet fjalë vetëm për t’i dhënë fund kësaj lufte, por për t’u siguruar që nuk do të ketë më luftëra të nisura nga Rusia”, shtoi Kallas.

Së bashku me ministrat e Jashtëm të BE-së, ajo tha se ka përgatitur një listë me shqetësime dhe kërkesa për sigurinë evropiane që duhet t’i paraqiten Rusisë në çdo negociatë. “Ne gjithashtu duhet t’ia paraqesim Rusisë këto shqetësime dhe të shmangim dhënien e gjithçkaje që dëshiron Moska pa siguruar lëshime në këmbim”, tha ajo.

“Por, sigurisht, mund ta shihni se me aleatët tanë amerikanë, kjo është shumë e vështirë për momentin”, shtoi Kallas. Lidhur me mbështetjen e Ukrainës në Starlink, Kallas tha se sistemi i komunikimit satelitor mbeti thelbësor për Kievin dhe se Evropa nuk mund t’i zëvendësojë kapacitetet e saj në afat të shkurtër.

Më tej ajo theksoi se udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë për gatishmërinë e mbrojtjes evropiane, duke vënë në dukje se Agjencia Evropiane e Mbrojtjes ka identifikuar boshllëqe kritike të aftësive dhe kapaciteteve industriale që Evropa duhet t’i adresojë.

“Çështja është zbatimi i kësaj dhe ne duhet ta bëjmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse ne kemi nevojë vetë për aftësitë”, tha kryediplomatja e BE-së, Kallas.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button