Sarkozy lirohet pas 20 ditësh në qeli

Ish-presidenti i Francës, Nikolas Sarkozy, u lirua sot me kusht nga burgu, ku hyri para 20 ditësh për të vuajtur dënimin 5-vjeçar për bashkëpunim kriminal me ish-udhëheqësin libian Muamar Gaddafi. Gjykatësit pranuan kërkesën e Sarkozisë, i cili tha se izolimi i ishte kthyer në makth.
Qëndroi vetëm 20 ditë në qeli dhe këtë të hënë, Nikolas Sarkozy doli nga burgu historik “La Santé” i Parisit.
Gjykata e Apelit në Paris vendosi këtë të hënë lirimin e tij para kohe pas dënimit me 5 vite burg për bashkëpunim kriminal me ish-diktatorin libian Muamar Gaddafi. Prokuroria pranoi kërkesën e avokatëve të tij dhe rekomandoi lirimin me kusht.
Duke folur përmes një videokonference në sallën e gjyqit, ish-presidenti i Francës e përshkroi izolimin e tij në burg si “rraskapitës” dhe “makth”.
Gjykata e Apelit po ashtu është duke shqyrtuar apelimin që i bënë avokatët e Sarkozisë për shpalljen e tij fajtor nga shkalla e parë. Vendimi pritet të merret marsin e vitit të ardhshëm. Deri atëherë, ish-presidenti do të qëndrojë nën mbikëqyrje gjyqësore, nuk do të lejohet të dalë jashtë territorit të Francës dhe do të ketë rreptësisht të ndaluar të kontaktojë me ministrin e drejtësisë, Zherald Darmanin.
70-vjeçari ka hyrë në histori si presidenti i parë në Francën e pas-luftës që kryen dënim me burg.



