Kryetari i Qytetit fillon “operacionin 72-orësh”: Shkupi në betejë kundër mbeturinave

Sonte nisi numërimi mbrapsht për pastrimin e Shkupit, një qytet që muajve të fundit është mbytur nga mbeturinat dhe pakujdesia institucionale. Kryetari i ri i Qytetit të Shkupit, Orce Georgievski, e hapi aksionin e shumëpremtuar 72-orësh për rikthimin e higjienës dhe dinjitetit urban të kryeqytetit.
“Siç kemi paralajmëruar në fushatë, po nisim një aksion masiv për pastrimin e Shkupit. Vetëm sonte, këtu para sallës ‘Boris Trajkovski’, kemi mbi 100 kamionë që do të jenë në terren pa ndërprerje gjatë 72 orëve të ardhshme. Në këtë mision janë përfshirë mbi 800 persona”, deklaroi Georgievski.
Kryetari i ri njoftoi gjithashtu për një pastrim paralel brenda vetë institucioneve. Nga ndërmarrja publike “Higjiena Komunale” janë përjashtuar 371 persona që, sipas tij, ose nuk kanë shkuar në punë, ose kanë marrë paga pa e kryer detyrën, madje edhe kanë keqpërdorur funksionet e tyre.
“Kam marrë edhe një informacion zyrtar që tashmë e kam dërguar në organet përkatëse. Bëhet fjalë për automjete të angazhuara në ‘Higjienën Komunale’ që janë paguar në emër të personave fizikë me kontrata për ‘shërbime intelektuale’ — me shuma nga 5 deri në 10 mijë euro. Kjo është e papranueshme dhe duhet hetuar menjëherë”, theksoi ai.
Në lidhje me pagat e vonuara të punonjësve në ndërmarrjet publike “Higjiena Komunale”, “Parqe dhe gjelbërime” dhe deponinë “Drislla”, Georgievski konfirmoi se pengesat financiare janë kapërcyer dhe se punëtorët do të marrin shumë shpejt pagat e tyre.
“Ky është vetëm fillimi. Shkupi do të pastrohet — jo vetëm nga mbeturinat, por edhe nga abuzimet,” përfundoi kryetari Georgievski.



