Përfundoi me 0 komuna, Taravari: Kemi marrë shumë vota!

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për A2 CNN në Shqipëri, ka komentuar rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se opozita shqiptare ka dalë dukshëm më e fortë se kampi qeverisës.
“Pa dyshim se nëse i mbledhim votat e listave për këshilltarë komunalë, për ansambleistë komunalë, Aleanca Kombëtare për Integrim – AKI ka 25% më shumë vota sesa koalicioni qeverisës, VLEN. Nëse analizohet edhe numri i votave që morën kandidatët për kryetarë komunash nga Aleanca Kombëtare, edhe aty jemi mbi 20% me më shumë vota se VLEN-i, edhe pse VLEN-i qeveritar në raundin e parë për kryetarë komunash ka marrë vota edhe nga partitë maqedonase që janë pjesë e qeverisë, sidomos nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM. Kështu që, pa dyshim, opozita shqiptare ka marrë mbi 25% më shumë vota sesa koalicioni qeverisës shqiptar. Edhe pse, realisht, pritshmëritë e Aleancës Kombëtare, por edhe sondazhet, tregonin që raporti do të ishte 1.8 me 1 dhe jo 1.25 me 1, madje disa anketa edhe 2 me 1. Por ky është rezultati. Pasi kemi edhe një raund të dytë, do të bëhen analiza më të thella, por mendoj se ka pasur një inxhiniering të jashtëzakonshëm nga partitë qeveritare, qoftë maqedonase apo shqiptare.”
Sipas Taravarit, rezultati i raundit të parë tregon qartë se forca opozitare shqiptare po fiton terren dhe besim te qytetarët, ndërsa pritet që raundi i dytë të konfirmojë këtë prirje.



