Me Nolin për në Europë

Të kritikosh është gjëja më e thjeshtë. Të vësh në dukje vetëm probleme e mangësi është po ashtu e thjeshtë. Ajo që duhet të na shqetësojë përtej konstatimeve është se çfarë bëjmë ne për të qenë njerëz më të mirë, më të virtytshëm. Për të qenë i tillë nuk është kusht të jesh europian, por duhet të jesh qenie njerëzore me principe, ndërsa principet nuk i përkasin vetëm Europës, por gjithë botës.

Nuredin NAZARKO, Korçë

Shqipëria europiane, mesa duket, ka qenë ëndrra që është shfaqur çdo natë në shqetësimet e një sërë politikanëve, të cilat jo vetëm kanë menduar, por më shumë kanë besuar se hallet dhe problemet e Shqipërisë zgjidhen vetëm duke e europianizuar atë. Shumë syresh, si atëherë dhe tani, shpesh tregoheshin më “katolikë se papa”, duke u kompleksuar nga trashëgimia orientale në mjedisin shqiptar, trashëgimi që e perceptonin si pengesën e fundit që shqiptarët duhet ta kapërcenin për të hyrë në udhën e botës së qytetëruar e të ndriçuar të Perëndimit, a thua se deri atëherë shqiptarët kishin jetuar në errësirë dhe egërsi dhe europianët modernë ishin të iluminuar qysh kur lindnin. Të qënit europian kulturalisht, se gjeografikisht shqiptarët janë më europianë se europianët, nuk mund të merret apriori si kusht i patjetërsueshëm që të cilësohesh i qytetëruar, i ndritur apo i lulëzuar. Dija, kultura, qytetërimi nuk kanë lindur fund e krye në Europë dhe as nuk i përkasin ekskluzivisht Europës. Europa moderne nuk duhet besuar si atdheu ku lind e vdes çdo shkencë, çdo dituri e përparim. Ajo është një nga rruazat e gjerdanit të zhvillimeve në historinë e racës njerëzore mbi tokë, me të mirat dhe të këqijat e veta.

Po kush duhet t’ua tregojë rrugën drejt Europës shqiptarëve sipas Nolit?

Krerët, udhëheqësit e popullit, janë qeveritarët e Shqipërisë, janë ata njerëz të cilët duhet t’i tregojnë popullit udhën e drejtë dhe të vërtetë, përparimin, qytetërimin dhe lulëzimin e tij. Krerët shqiptarë janë qeveritarët, të cilët marrin barrën përsipër për të formuar dhe ndritur Shqipërinë e lirë, për të bërë një Shqipëri europiane, një Shqipëri të qytetëruar, një Shqipëri të fortë. Në është pra që krerët me të vërtetë kanë për të punuar kështu, atëherë edhe Shqipëria e lirë do të forcohet, populli do të shikojë ditë të bardha dhe kombi ynë do të jetë i nderuar në tërë botën. (Vepra 6, Për një Shqipëri europiane (f. 79), Akademia e Shkencave, Tiranë 1996.)

Teorikisht, Noli ka të drejtë. Krerët duhet të jenë ata që duhet të realizojnë përgjegjësinë e të qënit në krye të punëve të qeverisjes dhe të jenë shembulli se si luftohet për drejtësi e mirëqenie. I frymëzuar edhe prej idealeve amerikane të qeverisjes, ai synonte një qeverisje sa më demokratike. Por, vetë Noli, për ta marrë pushtetin, nuk pati durimin të ndiqte rrugën demokratike, zgjedhjet elektorale, votën popullore, por ndoqi rrugën e marrjes së pushtetit në mënyrë të dhunshme, në qershor 1924. Të teorizosh është e lehtë, por t’u qëndrosh besnik atyre që thua, kjo është prova reale e jetës. Krerët duhet ta vlerësojnë edhe realitetin ku gjenden për të kryer ndryshimet e duhura. Ndryshimet janë proces që, duam ose nuk duam ne, do të marrin kohën e nevojshme. Në të kundërtën, europianizimi si kusht për zhvillim do të na dalë si petullat në ujë.

Pse për Nolin Shqipëria e ka të vështirë të bëhet europiane?

…në vendin tonë mbretëron konfuzioni i të pesë anarkive:

E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan. (Vepra 6: 149.)

Shqiptarët kanë dy fe me dy nëndarje secila. Kanë zënë rrënjë apo jo nuk mund ta thotë me siguri as Noli e askush tjetër. Shqiptarët mund të mos jenë në tërësi praktikues, por kanë një qasje pozitive ndaj frymës fetare, madje edhe pas luftës së egër që zhvilloi regjimi diktatorial komunist ndaj fesë në Shqipëri. Shqiptarët nuk i kanë braktisur ritet fetare. Mund t’i kenë shartuar ndonjëherë me besime popullore ose norma të njërës apo tjetrës fe, por ta quash anarki fetare diversitetin fetar nuk është e drejtë. Bashkëjetesa e shqiptarëve me fe të ndryshme është vlerë për të cilën ka meritë besimi i tyre ndaj feve dhe jo rrënja pagane e së shkuarës. Shqiptarët i kanë dashur dhe i kanë ndjekur normat fetare duke qenë të kujdesshëm ndaj njëri-tjetrit, sepse kështu i kanë mësuar fetë që besonin dhe jo kultet pagane të së shkuarës. Ky diversitet është shembull edhe për popuj e tjerë të civilizuar, që edhe pse ishin më të “iluminuar” se ne kanë vuajtur nga luftërat fetare në të shkuarën historike.

E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh as klasë burxhoazie (borgjezie). Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhakët më të vjetër, kur anëtarët e kësaj partie lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve. (Vepra 6: 149.)

Nuk mund të thuash që Shqipëria nuk ka patur ndonjë shtresëzim social, por përkundrazi. Fakti që pasardhësit e bejlerëve humbën në rrugët e modernitetit dhe u vinte turp nga trashëgimia e gjyshërve të tyre, nuk është argument që këtu ka mbizotëruar anarkia sociale. Anarkinë sociale e sjellin idetë majtiste dhe shkëputja e lidhjes së shtresës së pasur me shtresat e tjera të shoqërisë, si pasojë e largimit nga ato virtyte që gjyshërit ua lanë amanet, por këta në vend që t’i ruanin e ta gdhendnin veten, i hodhën tej si të pavlera dhe iu qasën udhës së jetës pa kufij e principe. Që beu është më bujk se bujku, e bujku më bej se beu më shumë është çështje karakteri, edukate, sesa shenjë e pështjellimit social. Shtresat shoqërore, vetë shoqëria në tërësi, nuk mund të bëjë kapërcime fantastiko-shkencore vetëm sepse kështu na u dashka. Çdo gjë kërkon kohën e vet.

E treta anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për gjithçka. (Vepra 6: 149.)

Në çdo popull gjen një skotë njerëzish që janë të mbrujtur me kësilloj fryme që përshkruan Noli. Edhe shqiptarët nuk bëjnë përjashtim. Por, nuk duhet vendosur i gjithë populli nën të njëjtin emërues. A mos vallë të gjithë europianët janë në nivelin më të lartë të virtyteve njerëzore, qoftë si popull qoftë si qeveri dhe vetëm ne paskemi ngelur të egër në mes të të kulturuarve? Shqiptarët kanë mjaft virtyte të mira dhe krerët nuk duhet vetëm t’i kritikojnë, t’i fyejnë, t’i ofendojnë, t’i tallin, t’i prozvalin, por duhet t’i ndihmojnë të kultivojnë më me kujdes e nderim virtytet që kanë trashëguar. Në qoftë se krerët janë bekuar të jenë më lart në virtyte e në dije, kjo nuk do të thotë që ta shohin popullin si të pagdhendur e të mjerë, por kjo ta dyfishon përgjegjësinë para popullit. Pa luftën ndaj së keqes, me durim dhe vazhdimësi, nuk mund të kuptohen as karakteret e mbrujtura me dashuri për popullin dhe kombin.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapërdisen për patriotë të mëdhenj, ata që kanë lëftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkretuar anembanë toskërinë; këtu si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh. (Vepra 6: 149.)

Kritiku ka punën më të thjeshtë. Mund të rrijë gjithë ditën dhe të bëjë perishan gjithë dynjanë me gjuhën dhe lapsin e mprehtë të kritikës. Por, që të marrë në dorë e të drejtojë nuk ka guximin se terreni nuk është letër që e nxin si të duash. Noli, që mori guximin dhe u ngjit në terren për të drejtuar si kryeministër, e mbylli karrierën politike më shpejt nga sa mund ta kishte menduar. Jo çdo i zoti në fushën e letrave mund të jetë dhe politikan i zoti. Jo çdo kritik është po aq i guximshëm e i zhdërvjelltë në praktikë sa ç’është edhe nëpër letra. Lufta për pushtet është e egër. Ajo ka prodhuar dhe do të prodhojë njerëz që, për interesa personale, shesin gjithçka. Cila është detyra e atdhetarëve? Të qahen gjithë kohën se “ç’shih njerëz ka këtu e këta janë të këtillët apo të atillët?” apo të bëjnë më të mirën që kanë mundësi ta kryejnë ndaj atdheut? Po ndër europianë a thua nuk ka patur trazime të kësaj natyre? A thua s’ka patur ndonjëherë europianë që nga tradhëtorë janë shitur për heronj dhe anasjelltas? Duket sikur gjithë të ligat e dynjasë paskan lëshuar rrënjë tek shqiptarët dhe vetëm po u europianizuan shpëtojnë prej tyre.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet e errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e këtyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i ç’qitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë…Mbetet e mbetet Ahmet Zogu i rrethuar prej kolltukofagëve dhe i qarkuar në shpellën e tij prej mizërie hafiesh e dallkaukësh; mbetet ky shakaxhi që pretendon oksidentalizëm dhe liberalizëm, kur ushqen në zemër të tij idealet më të errëta të orientit… (Vepra 6, (f. 149-150), Shakaxhiu  përparimit dhe pesë anarkitë.)

Shqiptarët, ashtu si çdo popull tjetër, e kanë historinë e tyre. Janë një popull që kanë plot cilësi të mira, ashtu sikundërse mund të gjesh shumë ligësi. Edhe tek europianët ose dhe të tjerët veç tyre, do të gjesh shumë e shumë njerëz të mirë, po edhe ligësi e padrejtësi. Të gjithë janë njerëz dhe si të tillë mbartin brenda vetes të mirën dhe të keqen. Ndriçimi i një populli nuk mund të matet vetëm me progresin e tij teknik e material. Mund ta kritikosh një popull për shumë e shumë gjëra, por kur kritika shkon drejt zhvlerësimit të popullit dhe përpiqet të vendosë në dukje vetëm anët negative, duke ofruar si kundërpeshë modernitetin europian si të ndriçuar e lulëzuar, pas të cilit duhet rendur me vrap, për të lënë në stacion trenin e vjetëruar të orientit (Krishterimi është po aq oriental sa dhe Islami), atëherë kritika, që në pamje të parë duket sikur kërkon të diagnostikojë që më pas të rregullojë, por që në fakt më shumë çorienton, nuk ka qëllimin e mirë për të vënë në udhën e reflektimit popullin, por ka qëllimin ta vendosë në udhën e imitimit, duke mos besuar aspak në fuqinë dhe virtytet e popullit, vitaliteti dhe virtytet me të cilat kanë spikatur shumë e shumë shqiptarë, të njohur apo të panjohur nga historia jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe më gjerë si në kohët e shkuara dhe të tashme.

Por, më 1938 na shfaqet një Nol tjetër në raport me Ahmet Zogun, mbretin e shqiptarëve. Tashmë A. Zogu nuk është më ai i kohës kur Noli, për hir të luftës politike e nxinte si njeriun e mbrujtur me idealet më të errëta të orientit, rrethuar nga hafije e kolltukafagë, servila e këpusha, por “protektor i arteve të bukura” që duhet ta ndihmojë Nolin me 5000 dollarë në mënyrë që të mbarojë studimet në muzikë dhe t’i shërbejë atdheut si Franzs Lisi Hungarisë. (Vepra 6 (f. 447), Letër Ahmet Zogut.) A thua u deorientalizua A. Zogu apo tani i duhej ndihma e Lartmadhërisë si edhe i drejtohet në letër? A thua po shfaqej Noli me vlerat europiane në këtë rast apo ishte “infektuar” disi nga shqiptarët që “nuk dinë” të bëhen njerëz?

Të kritikosh është gjëja më e thjeshtë. Të vësh në dukje vetëm probleme e mangësi është po ashtu e thjeshtë. Ajo që duhet të na shqetësojë përtej konstatimeve është se çfarë bëjmë ne për të qenë njerëz më të mirë, më të virtytshëm. Për të qenë i tillë nuk është kusht të jesh europian, por duhet të jesh qenie njerëzore me principe, ndërsa principet nuk i përkasin vetëm Europës, por gjithë botës. Ajo që bën diferencën me të tjerët, në rastin me Europën, përmes së cilës besojnë se do të përndritemi, është raporti që krijon njeriu, familja e kombi me virtytet. Rruga e përndritjes është rruga e virtyteve.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button