Kina përjashton komandantët më të lartë ushtarakë në fushatën më të fundit kundër korrupsionit

Dy nga oficerët më të lartë të ushtrisë kineze dhe shtatë zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë janë përjashtuar nga Partia Komuniste dhe nga ushtria nën dyshimin për shkelje serioze të lidhura me korrupsionin, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Kinës.
He Weidong, gjenerali i dytë më i lartë në hierarkinë ushtarake të Kinës, dhe admiral Miao Hua, ish-shefi politik i Forcave të Armatosura, janë zyrtarët më të fundit që bien pre e fushatës kundër korrupsionit në Ushtrinë Çlirimtare të Popullit.
Largimi i gjeneralit He është i pari i një komandanti në detyrë të Komisionit Qendror Ushtarak që nga Revolucioni Kulturor (1966–1976). Ai nuk ishte parë në publik që nga muaji mars, dhe hetimet ndaj tij nuk ishin bërë të ditura më parë nga autoritetet kineze.
Në njoftimin e bërë të premten, gjenerali He, admirali Miao dhe shtatë zyrtarët e tjerë u akuzuan se “kanë shkelur rëndë disiplinën e Partisë dhe dyshohen për krime të rënda në detyrë që përfshijnë shuma jashtëzakonisht të mëdha parash”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Zhang Xiaogang, tha në një deklaratë se veprimet e dyshuara ishin “shumë të rënda dhe me pasoja jashtëzakonisht të dëmshme”, duke e quajtur spastrimin “një arritje të rëndësishme në fushatën kundër korrupsionit të Partisë dhe ushtrisë”.
Përjashtimi i He-së, 68 vjeç, ka pasoja përtej fushës ushtarake, pasi ai ishte gjithashtu anëtar i Byrosë Politike prej 24 anëtarësh – organi i dytë më i fuqishëm i Partisë Komuniste. Si një nga dy nënkryetarët e Komisionit Qendror Ushtarak, He ishte komandanti i tretë më i fuqishëm në ushtri dhe konsiderohej bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Xi Jinping, komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura.
Admirali Miao ishte shkarkuar nga posti në qershor, pasi ishte vënë nën hetim për “shkelje serioze disiplinore”.
Njoftimi për përjashtimet erdhi vetëm disa ditë para mbledhjes së Plenumit të Katërt të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste në Pekin – një organ elitar me mbi 200 zyrtarë të lartë. Në këtë mbledhje, që fillon të hënën, pritet të zyrtarizohen edhe vendime të tjera, si përjashtimi dhe zëvendësimi i disa anëtarëve të Komitetit Qendror.
Në listën e zyrtarëve ushtarakë të përjashtuar bashkë me He dhe Miao përfshihen edhe He Hongjun, ish-zyrtar i lartë në Departamentin Politik të PLA-së; Wang Xiubin nga Qendra e Komandës së Operacioneve të Përbashkëta e Komisionit Ushtarak Qendror; ish-komandanti i Komandës Lindore të Teatrit, Lin Xiangyang; si dhe dy ish-komisarë politikë të ushtrisë dhe marinës.
Vëzhguesit kanë vënë re se shumë nga këta zyrtarë nuk janë parë në publik prej disa muajsh. Ish-komandanti i Policisë së Armatosur Popullore, Wang Chunning, i përfshirë gjithashtu në njoftim, u hoq nga legjislatura kombëtare muajin e kaluar, së bashku me tre gjeneralë të tjerë të PLA-së.
Ja Ian Chong, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Kombëtar të Singaporit, tha për Al Jazeera se “ky lloj tronditjeje” në udhëheqjen ushtarake kineze “po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm”.
“Në këtë kuptim, duket se është pjesë e procesit të konsolidimit të pushtetit të Xi Jinping,” tha Chong. “Kjo mund të interpretohet gjithashtu si një forcim i mëtejshëm i kontrollit të Xi-së mbi mekanizmat e Partisë, që po bëhet më i centralizuar se kurrë më parë.” /Al Jazeera/



