Udhëheqësi i grushtit të shtetit në Madagaskar betohet si President

Udhëheqësi i grushtit të shtetit në Madagaskar, Mikael Radraniarina, u betua sot, të si President i vendit, pasi ushtria mori kontrollin e pushtetit në ishull gjatë kësaj jave.
Më herët, pati protesta ku udhëheqës ishin të rinjtë dhe të cilat çuan në arratisjen e Andry Rajoelina.

Rajoelina, ndaj të cilit Asambleja Kombëtare vendosi nisjen e procedurave për shkarkim pasi u largua jashtë vendit gjatë fundjavës së kaluar, dënoi marrjen e pushtetit nga ushtria dhe refuzoi të japë dorëheqjen, pavarësisht dezertimeve të shumta nga forcat e sigurisë.

Bashkimi Afrikan dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dënuan grushtin e shtetit, i cili ndodhi pas javësh protestash të udhëhequra nga brezi “Gen Z”.

“Do t’i përmbush plotësisht, tërësisht dhe drejt detyrat e larta të postit tim si President i Republikës së Madagaskarit”, deklaroi Radraniarina gjatë një ceremonie të mbajtur në Gjykatën e Lartë Kushtetuese.

“Betohem se do të ushtroj pushtetin që më është besuar dhe do të përkushtohem me të gjitha forcat e mia për mbrojtjen dhe forcimin e unitetit kombëtar dhe të drejtave të njeriut”, shtoi ai.

Radraniarina deklaroi më herët se ushtria mori pushtetin dhe shpërndau të gjitha institucionet, përveç dhomës së poshtme të parlamentit, Asamblesë Kombëtare.
Ai shtoi gjithashtu se një komitet i udhëhequr nga ushtria do të qeverisë për një periudhë deri në dy vjet, së bashku me një qeveri tranzitore, para se të mbahen zgjedhje të reja.

Radraniarina ka qenë komandant i njësisë elitare ushtarake CAPSAT, që mori pjesë në grushtin e shtetit të vitit 2009, i cili solli në pushtet Rajoelinën, por ai u përça me të javën e kaluar, duke u bërë thirrje ushtarëve të mos qëllonin mbi protestuesit.

Mosha mesatare e popullsisë së Madagaskarit, që ka rreth 30 milionë banorë, është më pak se 20 vjeç. Tre të katërtat e banorëve jetojnë në varfëri. Nga pavarësia në vitin 1960 deri në 2020, të ardhurat për frymë janë ulur me 45%, sipas Bankës Botërore.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button