Azizi: AKI në panik nga humbja, përhap rrena dhe shpifje për të zbutur debaklin zgjedhor

Shefi i Shtabit Zgjedhor të VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër ndaj, siç i cilëson ai, “insinuatave dhe shpifjeve të fabrikuara” nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), duke i akuzuar ata se janë në “panik nga humbja e madhe që i pret më 19 tetor”.

“Në përpjekje për ta zbutur debaklin zgjedhor, AKI çdo ditë plasojnë rrena e mashtrime në opinion”, shkroi Azizi, duke treguar se sot në mëngjes një gazetar e kishte bërë të qeshte me një nga këto lajme të pavërteta.

“Rrenë e kulluar e AKI-së si të gjitha shpifjet dhe mashtrimet e deritanishme, pa fakte dhe pa asnjë argument. Asnjëherë në jetë nuk kam pranuar pagë shteti, as unë e as dikush nga familja ime, deri ditën që jam zgjedhur deputet”, ka shkruar Azizi.

Ai ftoi mediat dhe opinionin publik të hetojnë çdo pretendim për përfitime jashtë pagës së deputetit.

“Nëse del e vërtetë, unë nga nesër jap dorëheqje. Në të kundërtën, këta horrat e AKI-së duhet të kërkojnë falje publike ose të ballafaqohen me mua në gjyq”, është shprehur ai.

Në fund, Azizi u shpreh se “as rrenat e as shpifjet” nuk do ta shpëtojnë AKI-në nga “humbja e thellë e 19 tetorit”, duke theksuar se “shqiptarët nuk mund të mashtrohen më”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button