Kina bën thirrje për “dialog të barabartë” me SHBA-në gjatë vizitës së shefit të Apple-it, Tim Cook

Kina ka kërkuar “dialog të barabartë” me Shtetet e Bashkuara në mes të tensioneve tregtare ndërmjet dy fuqive ekonomike, ndërsa drejtori ekzekutiv i Apple-it, Tim Cook, zhvilloi një vizitë në vend.
Javën e kaluar, Pekini shpalli masa të gjera kontrolli mbi eksportet e mineraleve të rralla. Si kundërpërgjigje, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi vendosjen e tarifave 100 për qind që do të hyjnë në fuqi më 1 nëntor — megjithatë, një takim i mundshëm i ardhshëm me presidentin kinez Xi Jinping mund të ofrojë një mundësi për të zbutur përplasjen.
Cook, i cili viziton rregullisht tregun dhe bazën prodhuese të rëndësishme të Apple-it në Kinë, u takua të enjten me ministrin kinez të Tregtisë, Wang Wentao, sipas një deklarate zyrtare.
Gjatë takimit, Wang u bëri thirrje Pekinit dhe Uashingtonit të “kërkojnë zgjidhje përmes dialogut dhe konsultimeve të barabarta”, thuhet në deklaratë. Ai gjithashtu mirëpriti “rritjen e investimeve” të Apple-it në Kinë.
Deklarata citoi Cook-un të ketë thënë se ai e konsideron marrëdhënien e mirë ekonomike midis Kinës dhe SHBA-së si me “rëndësi të madhe”.
Sipas agjencisë shtetërore Xinhua, shefi i Apple-it u takua edhe me zëvkryeministrin He Lifeng, kryenegociatorin tregtar të Pekinit.
Në një fjalim në bordin këshillues të Shkollës së Ekonomisë dhe Menaxhimit të Universitetit Tsinghua, që kryesohet nga vetë Cook, ai theksoi se Kina është “e gatshme të thellojë bashkëpunimin e ndërsjellë të dobishëm me vendet e tjera të botës”.
Në Pekin ndodhej gjithashtu edhe drejtori ekzekutiv i Blackstone, Stephen A. Schwarzman, i cili u takua me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi, sipas një deklarate zyrtare.
“Marrëdhëniet Kinë-SHBA janë marrëdhënia bilaterale më e rëndësishme në botë sot,” tha Wang Yi gjatë takimit.
“Shkëputja dhe ndarja e lidhjeve nuk janë as zgjidhje realiste, as racionale — përballja do t’i dëmtojë të dyja palët,” shtoi ai.
Sipas deklaratës, Schwarzman shprehu shpresën që të dyja palët të “eliminojnë keqkuptimet” dhe të afrohen drejt dialogut konstruktiv.



