Mbi 19,000 fëmijë të vrarë në Gaza nga Izraeli ndërsa gjenocidi shënon ditën e 700-të

Fëmijët në Gaza përbëjnë mbi 30 për qind të viktimave që nga fillimi i gjenocidit të Izraelit pothuajse dy vjet më parë, ndërsa enklava e rrethuar mbetet “vendi më i rrezikshëm për të qenë fëmijë”.

Sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 19,424 fëmijë janë vrarë në sulmet izraelite që nga tetori 2023 – ekuivalenti i një fëmije të vrarë çdo 52 minuta. Midis tyre janë 1,000 foshnja nën moshën një vjeç.

Për më tepër, 42,011 persona janë plagosur nga bombardimet e vazhdueshme izraelite, që përbëjnë 26 për qind të popullsisë së përgjithshme të plagosur prej 161,583 personash.

Ndërkohë, gratë (10,138) dhe të moshuarit (4,695) përbëjnë 23 për qind të numrit të përgjithshëm të të vrarëve. Burrat zënë 46.7 për qind të viktimave (29,975).

Zyrtarja e UNICEF-it, Tess Ingram, tha se “vuajtjet e fëmijëve në Rripin e Gazës nuk janë aksidentale”.

“Kequshqyerja dhe uria po dobësojnë trupat e fëmijëve, ndërsa zhvendosja u heq atyre strehimin dhe kujdesin, dhe bombardimet kërcënojnë çdo lëvizje të tyre,” – tha Ingram.

Ajo vuri në dukje se jeta palestineze po “shkatërrohet” nga sulmet izraelite, mungesa e nevojave bazike dhe rritja e kequshqyerjes tek fëmijët dhe familjet e tyre.

Ingram theksoi se edhe zonat e ashtuquajtura “të sigurta” janë bërë tepër të rrezikshme për civilët, duke shtuar se “e paimagjinueshmja” po ndodh në qytetin e Gazës.

Ushtria izraelite ka shënjestruar në mënyrë të përsëritur “zonat humanitare” të përcaktuara prej vetë saj në të gjithë Gazën që nga fillimi i gjenocidit.

Të paktën 64,300 palestinezë janë vrarë që nga tetori 2023. Mbi 80 për qind e tyre janë civilë, sipas të dhënave të vetë ushtrisë izraelite.

Ingram paralajmëroi se operacioni më i fundit i Izraelit në qytet mund të sjellë katastrofa të tjera për familjet që jetojnë aty, duke shtuar se veriu “po kthehet shpejt në një vend ku fëmijëria nuk mund të mbijetojë”.

“Është një qytet i frikës, i ikjes dhe i varrimeve,” – tha ajo.

Uria e thelluar dhe krizat humanitare

Ndërsa ushtria izraelite intensifikon sulmet tokësore dhe ajrore – veçanërisht në qytetin e Gazës – uria po dobëson shpejt 1.97 milionë civilë në të gjithë zonën e bllokuar.

Statistikat më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se mbi 58 për qind e popullsisë së enklavës së rrethuar ndodhet në nivele “emergjente” të urisë dhe kequshqyerjes.

Ndërkohë, 32 për qind (641,000 persona) janë në nivelin më të rëndë të urisë.

Fëmijët, sidomos ata nën pesë vjeç, janë prekur ndjeshëm nga kriza humanitare dhe mungesa e nevojave bazike.

Nga mungesa e vaksinave të domosdoshme deri tek numri në rritje i jetimëve, fëmijët në Gaza po përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha.

Me mbi 370 vdekje nga uria të regjistruara, më shumë se 35 për qind janë fëmijë.

“Kolapsi i shërbimeve esenciale po i lë më të vegjlit dhe më të pambrojturit të luftojnë për mbijetesë,” paralajmëroi Ingram nga UNICEF.

“Pa qasje të menjëhershme dhe të shtuar në ushqim dhe trajtime ushqyese, ky makth i përsëritur do të thellohet, dhe më shumë fëmijë do të vdesin nga uria. Një fat që është tërësisht i parandalueshëm.”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button