Rubio: Njohja e shtetit palestinez e bën më të vështirë armëpushimin në Gaza

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, praktikisht ka fajësuar Francën dhe vendet e tjera që planifikojnë të njohin një shtet palestinez për shtytjen e Izraelit drejt aneksimit të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Rubio u pyet nga një gazetar gjatë një vizite në Ekuador për reagimin e tij ndaj një fushate izraelite për aneksim që po fiton terren, me ministrin e Financave të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, që këtë javë i bëri thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu të aneksojë shumicën e territorit.
“Ne ua kemi thënë të gjitha këtyre vendeve, ua kemi thënë të gjithëve. U thamë, nëse e bëni këtë punën e njohjes – është e gjitha e rreme, as që është reale – nëse e bëni, do të krijoni probleme të mëdha,” tha Rubio.
Duke e përshkruar shtytjen për aneksim si “diçka që nuk është përfundimtare”, diplomati i lartë amerikan tha se nuk do të komentonte më tej. “Ajo që do të them është se kjo ishte tërësisht e parashikueshme,” u tha ai gazetarëve.
“Ne u thamë [këtyre vendeve] që nëse e bënin këtë, nëse e çonin deri në fund këtë gjë, nuk do të kishte shtet palestinez… dhe u thamë se kjo do të çonte në këto lloj veprimesh reciproke dhe do ta bënte më të vështirë arritjen e një armëpushimi [në Gaza].”
Ekspertët thonë se Izraeli ka mbajtur një politikë aneksimi de facto në Bregun Perëndimor prej vitesh – shumë përpara se Franca dhe vende të tjera perëndimore të shpallnin së fundmi planet për të njohur një shtet palestinez të pavarur.
Ata gjithashtu thonë se Smotrich dhe anëtarë të tjerë të ekstremit të djathtë në qeverinë izraelite po e përdorin luftën e Izraelit në Gaza si një mënyrë për të forcuar kontrollin e vendit mbi Bregun Perëndimor.