VLEN: Bujar Osmani pranon takimet me Gruevskin, shqiptarët meritojnë përgjigje

Deputetja e VLEN-it, Merita Koxhaxhiku, në një konferencë për media, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ish-ministrit të jashtëm, Bujar Osmani, i cili, sipas saj, publikisht ka pranuar se është takuar me ish-kryeministrin e arratisur Nikolla Gruevski në Budapest.

“Bujar Osmani me gojën e vet pranoi se ka pasur takime me Nikolla Gruevskin. Ai refuzoi ta mohojë këtë, duke e pranuar tërthorazi një fakt skandaloz – se një ministër i jashtëm i Maqedonisë së Veriut është takuar me një person të shpallur non grata nga SHBA,” tha Koxhaxhiku.

Ajo shtoi se ky veprim është dëshmi e qartë se BDI nuk është një parti e reformuar, por një “grup interesash që manipulojnë me ndjenjat kombëtare dhe aspiratat evropiane të shqiptarëve për interesa personale e partiake”.

Koxhaxhiku parashtroi disa pyetje publike për Osmanin:

“Prej kur takimet e një ministri të jashtëm me persona në listën e zezë amerikane konsiderohen sekret shtetëror?”

“A janë raportuar këto takime në Prokurori dhe në Ministrinë e Brendshme?”

“Cili është interesi pas këtij komunikimi të fshehtë?”

Deputetja e VLEN-it rikujtoi se “ndihma për arratisjen e Gruevskit ishte vepër e BDI-së”, po ashtu edhe “amnistia për Sasho Mijalkovin dhe klikën e tij”.

“BDI e ka shndërruar politikën në treg dhe në biznes, ndërsa shqiptarët i ka bërë peng të marrëveshjeve me të arratisur nga drejtësia dhe kriminelë. VLEN është këtu për të rikthyer politikën e pastër, për transparencë dhe për t’i dhënë fund kësaj hipokrizie. Qytetarët meritojnë përgjegjësi, jo marrëveshje të fshehta,” përfundoi Koxhaxhiku.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button